Pretendimi: Burri plak në këtë foto është ish-presidenti amerikan John F. Kennedy. Ai që u vra në një atentat në 1963 në Dallas ishte kloni i tij.
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————–
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se një veteran i moshuar, i cili tregohet në një foto duke takuar presidentin amerikan Donald Trump, është në të vërtetë presidenti i 35-të i ShBA, John F. Kennedy. Më tej, pretendohet se ai i cili u vra në një atentat në Dallas më 22 nëntor 1963 nuk ishte Kennedy, por një klon i tij.

Si zakonisht, nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se burri në foto është Russell Pickett, një veteran i Luftës së Dytë Botërore, i cili ishte 94 vjeç në kohën kur u bë fotografia.
Specifikisht, fotografia është bërë më 6 qershor 2019, gjatë një eventi që përkujtonte 75-vjetorin e zbarkimit në Normandi, një operacion në të cilin vetë Pickett mori pjesë, siç tregohet në dosjen e tij ushtarake. Fotografia tregon kapelen e Pickett me mbishkrimin “Shoqata e Divizionit të 29-të”, dhe një tjetër fotografi e tij duke përshëndetur Donald Trump u postua në faqen e Shoqatës së Divizionit të 29-të në Facebook.
Gjatë fjalimit të tij atë ditë, Trump iu drejtua drejtpërdrejt Pickett dhe vlerësoi punën e tij gjatë zbarkimit në Normandi.

Pickett duke përshëndetur Trump (djathtas) dhe presidentin francez Macron
Russell Pickett, i cili kishte lindur në 1925, ndërroi jetë më 2 gusht 2020, në moshën 95-vjeçare. Pas vdekjes së tij, Qendra Amerikane e Veteranëve përkujtoi karrierën e tij ushtarake dhe publikoi një fotografi të tij gjatë viteve të shërbimit.

Më 22 nëntor 1963, presidenti amerikan John F. Kennedy, lindur në 1917, u vra gjatë një vizite në Dallas në Teksas. Vrasja u kap në fotografi dhe video të shumta dhe u hetua nga Komisioni Warren, gjetjet e të cilit janë të disponueshme në Arkivat Kombëtare. Raporti i komisionit emëron Lee Harvey Oswald si autorin e krimit, i cili u vra para gjyqit të tij më 24 nëntor 1963. Raporti përfshin gjithashtu raportin e autopsisë së John F. Kennedy.






