Pretendimi: Sot mijëra njerëz në Veri të Shqipërisë po ndihen të rraskapitur sepse HAARP është aktiv mbi Adriatik
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————-
Një postim në Instagram pretendon se “mijëra njerëz në veri të Shqipërisë po ndihen të rraskapitur” dhe shkaku i kësaj lodhjeje nuk i atribuohet ndonjë sëmundjeje, faktori ekonomik apo social, por famëkeqit sistemit HAARP.

Megjithatë, postimi i msipërm nuk jep ndonjë provë, burim apo referencë që mbështet as pohimin e tij parësor: se mijëra njerëz në veri të Shqipërisë po ndihen të rraskapitur.
Asnjë burim zyrtar, mediatik apo anekdotal shqiptar apo i huaj nuk e mëbshtet këtë pretendim, i cili duket se është shpikur tërësisht nga autori i postimit.
Aq më pak nuk jepen prova për pretendimin edhe më të jashtëzakonshëm se epidemia e pretenduar e lodhjes në veri të Shqipërisë është pasojë e veprimtarisë së HAARP mbi Adriatik.
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
Bob McCoy, drejtor i Institutit Gjeofizik në Universitetin e Alaskës Fairbanks, i cili operon HAARP tha për Associated Press se “sinjalet elektrike në trurin e njeriut janë me frekuencë shumë të ulët. HAARP ka frekuencë shumë të madhe, valët janë me metra të gjata.” Si rrjedhojë HAARP nuk ka se si të ndikojë trurin e njerëzve apo të shkaktojë lodhje në veri të Shqipërisë.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
Menaxhmenti i Universitetit të Alaskës, i cili mbikëqyr projektin HAARP, ka krijuar një traditë të Ditëve së Hapur të HAARP. Vizita përfshin një prezantim hyrës, një tur në ndërtesën e kontrollit, një shëtitje midis antenave, një seminar me eksperimente si për të rritur ashtu edhe për fëmijë, dhe një diskutim me shkencëtarët.

Gjatë një Dite të Hapur, vizitorët shëtisin qentë e tyre nën një fushë antenash të përdorur për të ngrohur atmosferën e sipërme gjatë eksperimenteve të fizikës hapësinore në strukturën e njohur si HAARP / KTOO
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP, duke përfshirë pretendime të ngritura nga e njejta llogari që ka postuar pretendimin e mësipërm.






