E gjeneruar kjo pasagjere me “ushqim në çantë” në avion

10

Pretendimi: Kjo video tregon një shkëmbim real në aeroplan

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Instagram pretendon se tregon një grua shqiptare duke ngrënë një tavë të gatuar vetë në avion dhe duke u grindur me stjuardesën që i kërkon të ndalojë. Ushqimi dhe sjellja harbute e udhëtares krijon një situatë të sikletshme për të gjithë pasagjerët në njërën prej linjave ajrore low-cost që operojnë në Shqipëri. 

Megjithatë, video qesharake nuk tregon një ngjarje të vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillmisht në TikTok nga një llogari që poston përmbajtje të gjeneruara me AI. 

Në fakt, Faktoje ka përgënjeshtruar me parë një tjetër video të gjeneruar nga kjo llogari, e quajtur “çudira albanistani” dhe të shpërndarë si e vërtetë në rrjet.

Një tregues i origjinës artificiale të videos është mungesa e ndonjë reagimi kureshtar nga pasagjerët në rreshtat para gruas, të cilët qëndrojnë stoikë në poltronet e tyre ndërsa ‘gruaja’ grindet me ‘stjuardesën’. Asnjëri prej tyre nuk kthen as kokën për të parë se ç’po ndodh prapa tyre.

Këto imazhe janë shembuj i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.” 

Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.

Llumi AI zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit. Llumi AI që nxit zemërim, ofendim dhe skandalizim merr shumë angazhim. 

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Meta i detyron përdoruesit të etiketojnë videot e gjeneruara me AI si të tilla.