Të pabaza këto “prova” që vënë në dyshim zbritjen në Hënë

16

Pretendimi: Kjo video dëshmon se zbarkimi i njerëzve në Hënë në 1969 nuk ka ndodhur, por është inskenuar

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se udhëtimi i njerëzve në Hënë nuk ka ndodhur. 

Video në anglisht prezanton një numër ‘provash’ për pretendimin e saj.

Si fillim, pretendohet se zbarkimi i njerëzve në Hënë është inskenuar nga NASA sepse në fotot nga sipërfaqja e Hënës duket sikur flamuri amerikan i ngulur nga astronautët po valëvitet, ndërkohë që Hëna nuk ka atmosferë, e, si rrjedhim, as erë.

Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, në fakt është valëvitja e flamurit ajo që është inskenuar nga astronautët kur ata ishin mbi sipërfaqen e Hënës, për të shkrepur pikërisht foton që po përdoret si ‘provë’ se udhëtimi në Hënë ishte inskenuar. Procesi i inskenimit të flamurit mund të shihet në videot e mëposhtme.

Më pas, video pretendon se, duke qenë se yjet duken nga hapësira, mungesa e yjeve në pamjet nga zbritja në Hënë dëshmon inskenimin.

Në fakt, ekziston një shpjegim i rëndomtë. Kamera nuk ishte kalibruar për t’i kapur ato.

Astronautët zbarkuan në Hënë gjatë ditës hënore, kur ka shumë dritë për t’i parë yjet pa ndihmë.

Fotot në sipërfaqen hënore u shkrepën me kamerën e montuar në kostumin e astronautit me një shpejtësi prej 1/250 të sekondës. Kjo ndodhi sepse rrezet e ndritshme të diellit godisnin sipërfaqen hënore pa filtrim nga ndonjë atmosferë dhe reflektoheshin nga terreni me ngjyra të hapura, dhe pajisjet dhe kostumet e astronautëve.

Nga ana tjetër, yjet janë shumë të zbehtë dhe do të duhej një shpejtësi shkrepjeje nga 10 deri në 30 sekonda. Pra, me vetëm 1/250 të sekondës nuk do të fotografoheshin dot yje.

Grafisti britanik Mike Constantine krijoi simulimin e mëposhtëm e ç’do të kishte kapur kamera nëse astronauti do të fotografonte yjet me shkrepje 15 sekondëshe dhe kishte një trekëmbësh dhe një kohëmatës me vete dhe astronauti në foto do duhej të qëndronte fare pa lëvizur për 15 sekonda.

Megjithatë, misioni Apollo 16 mori me vete një instrument të quajtur Kamera/Spektrograf i Rrezeve Ultraviolet të Largët, me anë të së cilit, yjet dhe Toka u fotografuan nga sipërfaqja hënore.

Toka dhe yjet, të kapura nga Hëna.

Së fundmi, video pretendon se mospërputhja e gjurmës së këmbës së lënë në Hënë nga Neil Armstrong me gjurmën e çizmes së kostumit të tij hapësinor gjithashtu provon inskenimin.

Megjithatë, edhe kjo ‘provë’ bie.

Si fillim, duhet specifikuar se gjurma në video nuk është bërë nga Neil Armstrong, por nga Buzz Aldrin.

Armstrong dhe pjesa tjetër e ekuipazhit, përveç kostumit Apollo/Skylab A7L, kishin edhe pajisje shtesë. Konkretisht, çizme me shputë me brazda që përputhen me gjurmën në Hënë. Këto këpucë ndihmuan në mbrojtjen e astronautëve nga rrezatimi diellor i pafiltruar, si dhe siguruan fërkim shtesë. 

Pjesa e poshtme e çizmeve e dukshme në fototregojnë tabanin me vija që përputhet me gjurmën.

Fotografitë e këpucëve teksa lënë gjurmët me vija mund të shihen këtu dhe këtu.

Këto çizme të veshura nga astronautët e Apollo 11 u lanë në Hënë për të kompensuar peshën shtesë të sjellë nga mbledhja e gurëve hënorë. Një listë e sendeve që astronautët lanë pas gjatë misionit Apollo 11 mund të shihet këtu dhe këtu, duke përfshirë çizmet.