Shfaqja e Epstein në rrugët e Tel Avivit rezultat i Inteligjencës Artificiale

11

Pretendimi: Ky imazh tregon pedofilin dhe trafikantin amerikan Jeffrey Epstein në Tel Aviv

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse,po qarkullon ditët e fundit një imazh që duket se tregon financierin pedofil Jeffrey Epstein ndërsa ecën i shoqëruar nga roje personale rrugëve të Tel Avivit në Izrael. Vendndodhja e pretenduar e fotos, nxit sigurisht tek komentuesit akuza për një përfshirje shtetërore izraelite në skemën e trafikut seksual të ndërtuar nga Epstein.  

Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual, duke nxitur teori të shumta për një vrasje të qëllimshme për të zhdukur provat e skandaleve të shumë politikanëve dhe njerëzve të tjerë të pasur pjesë e festave famëkeqe të Epstein. Një raport i Departamentit amerikan të Drejtësisë i vitit 2023 tha se autopsia e një ekzaminuesi mjekësor përcaktoi se “shkaku i vdekjes së Epstein ishte varja dhe mënyra e vdekjes ishte vetëvrasja.”

Janë programet kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI) që e kanë risjellë në jetë trafikantin.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është postuar fillimisht në Reddit më 1 shkurt, në forumin me emrin r/hardaiimages (“imazhe të forta AI”). Versioni origjinal përmban logon e Gemini, chatbot-it të inteligjencës artificiale të Google.

Në komentet që u përgjigjen përdoruesve të tjerë që pyesnin për burimin dhe vërtetësinë e imazhit, postuesi origjinal vuri në dukje se “disa njerëz po harrojnë se në cilin subreddit jemi tani”. Në një tjetër përgjigje ndaj një përdoruesi që pyeti nëse e kishte krijuar vetë, postuesi u përgjigj: “E bëra, në fakt me Gemini. Mund ta shihni logon Gemini në pjesën e poshtme djathtas të secilës fotografi. Nuk mendoja se do të bëhej kaq virale.”

Detaje të tjera në imazh tregojnë se është i rremë. Pozicioni i gabuar e dritës së gjelbër në semaforin në sfond. Tabela rrugore në sfond përmban një përkthim të gabuar në hebraisht për “Tel Aviv”. Fotot e tabelave të vërteta të qytetit tregojnë shkronja të tjera hebraike dhe arabe.

Tabela e gjeneruar me AI (majtas) dhe tabelat e vërteta (djathtas)

Tabelat gjithashtu nuk përputhen me ndonjë vend të vërtetë në Tel Aviv. Një rrugë me emrin “Haangus Ev.” nuk shfaqet në Google Maps.

Sa i përket pretendimit se Epstein është gjallë, midis dokumenteve të sapo deklasifikuara të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë janë disa imazhe që tregojnë Jeffrey Epstein të shtrirë në një barrelë pas vdekjes së tij më 10 gusht 2019. BBC raporton se këto janë 20 imazhe të publikuara si pjesë e një “raporti të deklasifikuar të FBI” mbi vdekjen e Epstein, si dhe “një autopsi dhe dokumente të brendshme të burgut.”