Jona Cenameri
Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje.al, prezantoi sot në Durrës gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer përgjatë një viti mbi punën e dy bashkive respektive.
Prezantimi u zhvillua përpara përfaqësuesve të Bashkisë Durrës dhe Kavajë, këshilltarëve bashkiak, drejtorë të bashkive, gazetarëve lokalë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Ky monitorim u realizua në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), i cili prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri.
Monitorimi
Për vitin 2025, monitorimi nga Faktoje përfshiu 10 bashki: Shkodër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Kavajë dhe Sarandë.
Vlerësimi është bazuar në dy elementë kryesorë:
- nivelin e transparencës së pushtetit vendor,
- përmbushjen e premtimeve elektorale të kryetarëve të bashkive.









Transparenca
Sipas gjetjeve të raportit, Bashkia Durrës shënon një nivel transparence prej 87.5%, duke u renditur mbi mesataren e bashkive të monitoruara, megjithëse me rënie krahasuar me vitin paraardhës.
Gjatë konsultimit të gjetjeve të raportit, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako u shpreh se:
“Programi i transparencës është shumë ambicioz dhe do përpiqemi t’i realizojmë të gjithë indikatorët, siç i ka kërkuar ky program. Unë kam dëshirë që ne, të kthehemi në një nga Bashkitë me transparencën më të lartë”
Ndërkohë, Bashkia Kavajë shënon një nivel transparence prej 75%, duke u renditur e fundit mes 10 bashkive të përfshira në projekt.
Përfaqësuesit e Bashkisë Kavajë po ashtu u shprehën të interesuar për të përmirësuar treguesit e munguar.
Këto përqindje janë llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës, që rrjedhin nga kuadri ligjor vendas dhe standardet minimale të informimit publik.
Mbajtja e premtimeve në Bashkinë Durrës
Nga 4 premtime elektorale të verifikuara në Bashkinë Durrës:
- 1 premtim është përmbushur plotësisht,
- 1 premtim është realizuar pjesërisht,
- 2 premtime rezultojnë të pambajtura.
Premtimi i përmbushur lidhet me ndërtimin e një godine parkimi publik në qendër të qytetit, e cila është funksionale që prej nëntorit 2025.
Ndërsa ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë është vlerësuar si premtim pjesërisht i mbajtur. Sipas verifikimeve në terren, punimet kanë avancuar, por projekti ende nuk ka përfunduar dhe parku nuk është funksional për qytetarët.
Dy premtime të tjera rezultojnë të pambajtura. Rindërtimi i pallateve me dëmtime DS5 në lagjen nr. 5, në të njëjtin vend, nuk ka avancuar sipas angazhimit të dhënë, pasi gjashtë vite pas tërmetit është rindërtuar vetëm një pallat, ndërsa për tetë të tjerë punimet nuk kanë nisur ende.
Po ashtu, rikonstruksioni i Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” mbetet i parealizuar, pavarësisht ekzistencës së projektit, ndërkohë që në terren nuk konstatohet ndërhyrje konkrete.
Në përfundim të prezantimit të gjetjeve, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako shtoi se:
“Transparenca është një proces thelbësor jo vetëm për informimin mbi buxhetin, por edhe për rritjen e komunikimit me qytetarët dhe për dhënien e llogarisë për punën e bërë përpara tyre”, duke e vënë theksin tek funksioni i monitorimit në përmirësimin e performancës së vet Bashkisë.
Mbajtja e premtimeve në Bashkinë Kavajë
Nga 4 premtime elektorale të verifikuara në Bashkinë Kavajë:
- asnjë premtim nuk është përmbushur plotësisht,
- 1 premtim është realizuar pjesërisht,
- 3 premtime rezultojnë të pambajtura.
Premtimi pjesërisht i mbajtur lidhet me pastrimin e qytetit të Kavajës. Ndërsa koshat e mbeturinave pastrohen rregullisht, hapësirat përreth tyre dhe zonat periferike të qytetit mbeten shpesh të papastra, duke reflektuar një zbatim të pjesshëm të shërbimit.
Tre premtime të tjera rezultojnë të pambajtura. Ofrimi i bonuseve mujore prej 5 mijë lekësh për çdo lindje të re gjatë vitit të parë të jetës nuk është zbatuar, pasi bashkia ka konfirmuar se aktualisht nuk jep bonuse të tilla dhe nuk ka fonde të dedikuara për këtë skemë.
Po ashtu, zgjidhja përfundimtare e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë për fshatrat Rrakull dhe Karpen mbetet e parealizuar, me furnizim të ndërprerë dhe pa masa konkrete për zgjidhjen e problemit.
Ndërtimi i Rrugës së Bregdetit, një premtim i përsëritur ndër vite, nuk ka nisur dhe në terren nuk konstatohet asnjë shenjë punimesh apo planifikimi.
Raporti
Në total, raporti i Faktoje për 10 bashkitë e monitoruara tregon se nga 40 premtime elektorale:
- vetëm 5 janë realizuar plotësisht,
- 12 janë realizuar pjesërisht,
- ndërsa 23 mbeten të pambajtura.
Kjo do të thotë se 57.5% e premtimeve elektorale nuk janë mbajtur, duke evidentuar një hendek të thellë mes angazhimeve publike dhe veprimit konkret në nivel vendor.
Premtimet u monitoruan përmes analizës së buxheteve, ndjekjes së prokurimeve publike dhe vëzhgimeve në terren.
Monitorimi i realizuar nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon rritjen e transparencës, ndarjen e informacionit me publikun dhe forcimin e llogaridhënies së pushtetit vendor ndaj qytetarëve.






