“Më 31 janar do të kemi një fitues, një konsorcium që do të nisë punimet për portin e ri në Porto Romano”, deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vjeshtën e kaluar.
Kur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e dha këtë afat, u duk sikur më në fund saga e portit të ri në Porto Romano po i afrohej zgjidhjes. Pas zvarritjeve disavjeçare, 31 janari i këtij viti u prezantua si afat që do t’i hapte rrugën ndërtimit të portit të ri.
Një projekt i prezantuar nga qeveria si ambicioz, me vlerë rreth 400 milionë euro, i cili do të transformojë jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin, duke u shërbyer Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Por kur kalendari shënoi 31 janar, afati u shkel sërish. Ndryshe nga sa deklaroi Balluku, nuk u shpall asnjë konsorcium fitues për Portin e ri në Porto Romano.
Në regjistrin e prokurimeve publike afati i ri për shpalljen e fituesit është muaji mars. Dhe si çdo herë tjetër, shtyrja e afatit u pasua me heshtje institucionale duke vijuar historinë e zvarritjeve për projektin.
Afate të shkelura
Kjo nuk është hera e parë që Porto Romano shndërrohet në një sagë të pafundme afatesh të shkelura.
Dhjetor 2022 – Janar 2023
Ministrja Belinda Balluku deklaroi se gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit do të hapej në fund të janarit 2023. Kur erdhi koha, gara nuk u çel. Ministria nuk dha shpjegime, ndërsa Autoriteti Portual justifikoi vonesën me “grupe pune” që ende vlerësonin dokumentet juridike e financiare. I vetmi zhvillim konkret ishte një takim konsultativ më 2 shkurt 2023 me kompani të interesuara. Fituesi që duhej shpallur në korrik mbeti vetëm një skenar i parealizuar. Ky ishte afati i parë i shkelur.
Korrik 2024
Pas një viti e gjysmë vonesash, gara u hap. Këtë herë, Balluku e prezantoi si “kurorëzimin e katër viteve punë”, duke folur për mbi 420 mijë orë analiza e studime. Sipas qeverisë interesi ishte i madh, me 15 kompani ndërkombëtare të regjistruara. Por në vjeshtën e 2024 tenderi me vlerë 393 milionë euro u anullua për mungesë ofertash të përshtatshme. Një tjetër afat i thyer.
Dhjetor 2024 – Prill 2025
Pas anulimit të tenderit në vjeshtën e vitit 2024, gara për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano u rihap në dhjetor të po atij viti. Në këtë fazë morën pjesë pesë kompani të mëdha ndërkombëtare:
- Archirodon Construction (Overseas) Company Limited – me bazë në Qipro, pjesë e grupit Archirodon NV me seli në Holandë dhe Greqi, e specializuar në projekte marine dhe infrastrukturore.
- Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V. – kompani holandeze e njohur për punime të mëdha në dredging dhe inxhinieri detare.
- China Communications Construction Company (ÇÇ) – gjigant kinez i ndërtimit, i përfshirë në projekte infrastrukturore globale.
- Webuild S.p.A. – kompani italiane e ndërtimit, e fokusuar në projekte komplekse inxhinierike.
- Konsorciumi Jan De Nul NV – Soletanche Bachy International – Vinci Construction Geoinfrastructure – një bashkim kompanish nga Belgjika dhe Franca, me eksperiencë në inxhinieri detare dhe ndërtim të madh.
Në prill 2025, pas fazës së parakualifikimit, vetëm Archirodon dhe Van Oord mbetën në garë. Kompanitë e tjera u skualifikuan nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Konsorciumi Jan De Nul – Vinci – Soletanche Bachy paraqiti një ankesë kundër vendimit të skualifikimit, por Komisioni i Prokurimit Publik e rrëzoi, duke lejuar vazhdimin e procedurës me dy ofertuesit e mbetur.
Shtator – Tetor 2025
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, në fazën finale mbeti e kualifikuar vetëm një ofertë ekonomike, Archirodon Construction (Overseas) Company Limited me bazë në Qipro.
Vjeshtën e kaluar, gjatë ceremonisë zyrtare të prezantimit të drejtorit të ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliu, Balluku u shpreh se, “Më 31 janar do të kemi një fitues, një konsorcium që do të nisë punimet për portin e ri në Porto Romano” Por në vend të shpalljes së konsorciumit fitues, procedura u shty për në 9 mars 2026, duke shtuar edhe një kapitull tjetër në historinë e zvarritjeve.
Përfundim
Porto Romano është një projekt me barrë të rëndë financiare për qytetarët shqiptarë. Kosto totale llogaritet në 1 miliardë e 20 milionë euro. Fillimisht qeveria prezantoi një faturë prej 393 milionë eurosh për fazën e parë të ndërtimit, por më pas projekti u pasurua me faturat e tjera. 261 milionë euro për fazën e dytë dhe 366 milionë euro për bazën detare.
Mirëpo ndonëse i shpallur si investim strategjik, ndërtimi i portit të ri në Porto Romano po zvarritet me shtyrje të njëpasnjëshme afatesh prej tre vitesh. Nga deklarata për hapjen e garës në janar 2023, tek anulimi i tenderit në 2024, rihapja e tij në 2025 dhe shtyrja e shpalljes së fituesit nga janari në mars 2026, projekti është kthyer në një sagë të pafundme vonesash.
Nisur nga verifikimet e bëra, deklaratën e ministres Balluku se më 31 janar 2026 do të shpallej fituesi e kategorizojmë të pavërtetë, sikurse edhe disa të tjera më herët, të verifikuara nga Faktoje.






