Pretendimi: Antiparazitari Ivermectin përdoret te njerëzit për të trajtuar gjithfarë sëmundjesh, nga Covid-19 deri te kanceri.
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, vijon të shpërndahet promovimi i ilaçit antiparazitar Ivermectin si një kurë çudibërëse që mund të përdoret për të trajtuar një mori sëmundjesh që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, nga Covid-19, tek sëmundjet autoimune tek kanceri.

Këto pretendime shoqërohen me foton e një versioni të injektueshëm të ivermektinës i destinuar për lopët dhe derrat, gjë që mund t’i shtyjë lexuesit ta blejnë produktin në formulën e tij për kafshët, një ide e refuzuar në mënyrë të qartë nga farmacistët.
Postimet janë përkthime në shqip të një teksti që ka qarkulluar në anglisht, frëngjisht, spanjisht, hungarisht, holandisht, boshnjakisht, greqisht, çekisht dhe gjermanisht të paktën që nga janari 2025.
Kjo vjen pas viteve keqinformimi rreth ilaçit, veçanërisht midis konspiracionistëve kundër vaksinave mRNA anti-Covid. Besimi i rremë në përdorimet pozitive jashtë etiketës për ivermektinën shkaktoi lëvizje legjislative në disa shtete të ShBA për të lejuar aksesin në ilaç pa recetë.
Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi përdorimin e ivermektinës “për të trajtuar disa krimba parazitarë”, ndërsa formulimet topike janë të disponueshme për morrat e kokës dhe rosacea, skuqjen e lëkurës.
Ivermectina është provuar të jetë “klinikisht efektive kundër infeksioneve të caktuara nga krimbat dhe zgjebja”, tha për AFP më 29 prill 2025 Akos Heinemann, drejtues i kërkimit në departamentin e farmakologjisë në Universitetin Mjekësor të Grazit.
“Çdo gjë tjetër është spekulim i bazuar në të dhëna shkencërisht të pambështetshme ose thjesht është i sajuar”, tha ai.
Ndërsa teksti i shpërndarë gjerësisht përqendrohet në përfitimet e mundshme të përdorimit të ivermektinës, ilaçi ka efekte anësore serioze të mundshme
Në vitin 2021, mes rritjes së numrit të rasteve drejtuar qendrave të helmimit, Departamenti kanadez i Shëndetit lëshoi një paralajmërim kundër marrjes së ivermektinës jashtë etiketës ose në versione për bagëtinë. “Kanadezët nuk duhet të konsumojnë kurrë produkte shëndetësore të destinuara për kafshët për shkak të rreziqeve të mundshme serioze shëndetësore, duke përfshirë kriza, komë dhe madje edhe vdekje”, tha institucioni.
Heinemann tha se “dhënia ose marrja e ivermektinës jashtë indikacioneve të saj të miratuara është neglizhencë e rëndë.”
Monika Redlberger-Fritz, studiuese në Qendrën për Virologji në Universitetin Mjekësor të Vjenës, u pajtua. “Ivermektina duhet të përdoret vetëm siç është autorizuar; të gjitha përdorimet e tjera nuk janë të rekomanduara”, tha ajo për AFP.
Faktoje ka shpjeguarmë parë se nuk kaende prova të mjaftueshme klinike që tregojnë se ivermektina mund të përdoret për të trajtuar kancerin tek njerëzit në mënyrë efektive.






