Pretendimi: Ky imazh tregon kryebashkiakun e tanishëm të Nju Jork, Zohran Mamdani, bashkë me nënën e tij, pedofilin dhe trafikantin Jeffrey Epstein, trafikanten Ghislaine Maxëell, ish-presidentin amerikan Bill Clinton, miliarderin Bill Gates, dhe milarderin Jeff Bezos
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————-
Pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë finalizoi publikimin e dosjeve që lidhen me trafikantin seksual Jeffrey Epstein, duke publikuar më shumë se 3 milionë dokumente, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse (link, link, link, link, link), po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon kryebashkiakun e tanishëm të Nju Jork si fëmijë i vogël, nënën e tij, Epstein, ish-presidentin amerikan Bill Clinton, miliarderin Bill Gates, dhe milarderin Jeff Bezos.

Megjithatë, mbështetësit e Mamdanit nuk duhet të zhgënjehen ende. Imazhi i mësipërm është i gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është postuar fillimisht në rrjet nga profili @DumbFckFinder. Në mes të imazhit dallohet dhe firma e tij dixhitale që shkruan DFF.

Llogaria @DumbFckFinder është etiketuar si një llogari parodi që e përshkruan veten në këtë mënyrë:
“Duke ndihmuar Amerikën të çlirohet nga budallallëku, nga një budalla me radhë, majtas, djathtas, i gjejmë të gjithë dhe i ekspozojmë përmes videove dhe memeve me AI me cilësi të lartë. Llogari alternative.”

E njëjta llogari rezulton se ka krijuar gjithashtu versione të tjera mbi të njëjtën temë, duke përfshirë një postim me ish-Presidentin Bill Clinton të mbajtur nga Epstein në krahët e tij.

Të dyja imazhet nuk gjenden në asnjë nga dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me Epstein.
Përpjekjet për ta lidhur Mamdanin me Epstein erdhën pasi emri i nënës së tij, Mira Nair, u zbulua në disa emaile midis miliona dokumenteve të publikuara më 30 janar 2026.
Emri i saj ishte në ftesat e dërguara me email dhe listat e të ftuarve të shkruara nga publicistja Peggy Siegal për një festë në shtëpinë e bashkëpuntores së Epstein, Ghislaine Maxwell në Nju Jork për filmin “Amelia“, një film biografik për piloten amerikane Amelia Earhart me regji nga Nair.
Në një mesazh të datës 21 tetor 2009 dërguar Epstein, Siegal shkruante: “Sapo dola nga shtëpia e Ghislaine… pas festës së filmit. Bill Clinton dhe Jeff Bezos ishin atje… Jean Pigoni, regjisorja Mira Nair.”
Ky mesazh duket se ka frymëzuar krijimin e këtij imazhi artificial. Megjithatë, nëse imazhi do të ishte i vitit 2009, Mamdani, i cili ka lindur më 18 tetor 1991, do të ishte 18 vjeç. Në imazhin e mësipërm, ai shfaqet si fëmijë.
Nëse imazhi do të ishte nga para vitit 2009, duke marrë parasysh që ‘Mamdani’ duket të jetë rreth dhjetë vjeç, ‘fotografia’ do të ishte bërë në fillim të viteve 2000. Megjithatë, në atë kohë, pronari i Amazon, Jeff Bezos, nuk ishte plotësisht tullac, siç shfaqet në imazh.
Përfundimisht, një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe milarderi dhe pronar i Microsoft Bill Gates shfaqen vërtet në fotot e publikuara si pjesë e dosjeve Epstein.

Në rezidencën e Jeffrey Epstein në Manhattan në vitin 2011, nga e majta: James E. Staley, në atë kohë një drejtues i lartë i JPMorgan; ish-Sekretari i Thesarit Laërence Summers; Jeffrey Epstein; Bill Gates, bashkëthemelues i Microsoft; dhe Boris Nikoliç, i cili ishte këshilltari shkencor i Fondacionit Bill dhe Melinda Gates.

Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton, Mick Jagger dhe Ghislaine Maxwell






