Pretendimi: Kjo foto paraqet shfaqjen agresive në protesta të gruas së vrarë nga një agjent i ICE
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Në rrjetet sociale shqiptare po qarkullonë postime sipas të cilës Renée Nicole Good, gruaja e vrarë nga një agjent i ICE (Forca për Zbatimin e Rregullave të Imigracionit dhe Doganave në SHBA) në Minneapolis me datë 7 janar 2026, ishte një aktiviste e paguar. Këto pretendime përdorin fotografi të personave të ndryshëm për të pretenduar se Good është gjendur dhe në protesta të tjera në të shkuarën, duke u përpjekur ta portretizojnë atë si një person të dhunshëm.

Një nga postimet më të shpërndara paraqet një fotografi të Good krahas një protestueseje tjetër nga viti 2020, duke pretenduar se bëhet fjalë për të njëjtin person. Në komentet e këtyre postimeve pretendohet se Good është një aktiviste e paguar nga partitë e majta, dhe se është media që e ka portretizuar si një qytetare e zakonshme në vitin 2026. Në realitet, gruaja në fotografinë e vitit 2020 është një shtetase kanadeze e quajtur Deana Sherif dhe nuk ka asnjë lidhje me Renee Good.

Sipas raportimit të BBC-së dhe mediave amerikane, Renee Nicole Good ishte 37 vjeçe, nënë e tre fëmijëve dhe kishte kohë që ishte shpërngulur në Minneapolis. Ajo ndodhej në vendngjarje në rolin e vëzhgueses ligjore, një funksion i njohur dhe i rëndësishëm gjatë protestave dhe operacioneve policore, që synon të monitorojë veprimet e autoriteteve dhe të dokumentojë shkelje të mundshme. Videoja e incidentit tregon se Good nuk po pengonte agjentin e ICE dhe se i fliste atij në mënyrë të qetë para se të qëllohej për vdekje.
Pretendimet se protestuesit “paguhen” për të marrë pjesë në protesta janë një formë e përsëritur dezinformimi. Në rastin e Renee Good, të dhënat publike nuk tregojnë se ajo ishte aktiviste profesionale. Deri më tani, nuk ka asnjë provë të besueshme që mbështet pretendimet e përhapura në rrjetet sociale.






