Kredia e re për Ukrainën e garantuar nga asetet e ngrira ruse

10

Pretendimi: Kredia e re e Komisionit Evropian për Ukrainën nuk garanci që do të kthehet dhe do të mbulohet nga taksat e evropianëve dhe shqiptarëve

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Marrëveshja për një kredi të re prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën nga Komisioni Evropian, një shpresë për të mbajtur në këmbë rezistencën ndaj Rusisë për dy vitet e ardhshme, ka krijuar debate të shumta mes euroskeptikëve. Një nga narrativat kundërshtuese është ajo se ky borxh nuk ka gjasa të kthehet nga Ukraina dhe do të paguhet nga taksat e qytetarëve evropiane.  dhe nuk ka gjasa të kthehet nga Ukraina. Në median shqiptare, ky informacion ka përfshirë edhe taksat e qytetarëve shqiptarë për shlryerjen e borxhit, duke kujtuar se shumë shpejt edhe Shqipëria do të jetë një nga vendet antare. Megjithatë, pretendimi për një kredi që nuk ka garanci për kthimin e saj, është i pasaktë.

Është e vërtetë se paketa e re, e quajtur “Kredia Mbështetëse për Ukrainën”, e dakordësuar në dhjetor 2025, përmban një klauzolë që parashikon shlyerjen e saj nga Ukraina vetëm kur Rusia të paguajë dëmshpërblime e luftës ndaj Kievit. Një kusht i tillë mund të mos jetë shumë i arritshëm në një periudhë të shkurtër kohe pasi kërkon vullnetin e Rusisë. 

Megjithatë, ajo që anashkalohet në narrativën që e shikon me shqetësim këtë kredi të re, është fakti që në rast të mungesës së dakordësisë nga Rusia për të shlyer dëmet e luftës në rast të një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën, kjo vlerë do të mbahet nga asetet e ngrira ruse. 

Pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022, vendet antare të Bashkimit Evropian ngrinë rreth 300 miliardë euro në asete ruse. Prej tyre, afërsisht 210 miliardë euro ndodhen kryesisht në Belgjikë, ku mbahen nga depozitari qendror i letrave me vlerë Euroclear. Me fjalë të tjera, nuk është fjala për paratë e qytetarëve europianë, por për shfrytëzimin e aseteve ruse si një garanci për shlyerjen e kredisë së re për Ukrainën.

Përdorimi si kolateral i aseteve të ngrira për një kredi ishte një zgjidhje e zgjuar e Komisionit Evropian për të tejkaluar sfidat juridike dhe kundërshtime nga disa shtete anëtare, për të vënë në përdorim këto asete. Belgjika kërkon garanci se nuk do të mbetet vetëm të përballojë pasojat e mundshme të padive ruse nëse përdoren asetet e ngrira të qytetarëve të saj. Në dhjetor 2025, plani për të përdorur asetet ruse u hodh poshtë për momentin pikërisht nga kundërshtimet e Belgjikës. 

Narrativa që pretendon se qytetarët europianë do të detyrohen të paguajnë për luftën ne Ukrainë nuk është e re. Pretendime të ngjashme kanë qarkulluar që nga viti i kaluar, kur një deputet rumun akuzoi Ursula von der Leyen për plane të ngjashme për të marrë kursimet e njerëzve. Ajo që BE-ja ka propozuar në të vërtetë është krijimi i një tregu të përbashkët kapitali, ku qytetarët evropianë mund të investojnë vullnetarisht në produkte financiare me kthim më të lartë sesa depozitat bankare tradicionale. Asnjë nga këto plane nuk përfshin marrjen me forcë të kursimeve private.