E pabazë kjo video e avionit sekret trekëndor të ShBA

12

Pretendimi: Kjo video paraqet teknologji të reja sekrete të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Një video e hasur së fundmi në rrjetet sociale pretendon se tregon një mjet fluturues misterioz duke lëshuar një rreze drite nga maja e një mali. Videoja është shpërndarë në Facebook edhe në shqip, e shoqëruar me pretendime se bëhet fjalë për teknologji sekrete të Shteteve të Bashkuara. Deri më tani nuk ka asnjë provë që këto pretendime të jenë të vërteta.

Videoja që është shpërndarë në faqet shqiptare nuk shoqërohet me burime të identifikueshme. Duke ndjekur “burimet” që janë vendosur nga llogaria në Facebook, drejtohemi tek një faqe në aplikacionin Telegram që shpërndan lajme të pabesueshme dhe teori konspiracioni. Videoja vetë nuk tregon informacione për vendndodhjen, datën apo autorin dhe nuk është raportuar nga asnjë media e besueshme. Pamja si dhe lëvizjet e objektit duken të ekzagjeruara dhe të ngjashme me efekte digjitale, pra videoja vetë është fiktive dhe ndoshta e gjeneruar me inteligjencë artificiale.

I njëjti objekt fluturues në postime të tjera në aplikacionin Threads, pretendohet se është një prototip anije luftarake i zhvilluar nga Lockheed Martin, një kompani amerikane që prodhon armë. Por Lockheed Martin nuk ka pranuar kurrë ekzistencën e një avioni të quajtur TR-3B. Ndër projektet reale që ka zhvilluar kompania përfshihen avionë eksperimentalë si SR-71 Blackbird apo satelite GPS, por asnjë dokument i besueshëm nuk e lidh Lockheed Martin me një TR-3B. 

Termi TR-3B përdoret zakonisht në qarqet e teorive konspirative për t’iu referuar objekteve fluturuese të paidentifikuara me formë trekëndore. Teori të tilla për mjete ajrore sekrete kanë qarkulluar që nga vitet 1980, si në Britani, SHBA dhe vende të tjera. Ato mbeten spekulative dhe nuk mbështeten nga prova të verifikueshme. Pretendimet se këto mjete janë pjesë e një programi ushtarak sekret janë përsëritur ndër vite, pa u konfirmuar ndonjëherë.

Data 3 shkurt 2026 website A2News e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.