Një keqinterpretim dënimi i ri për ata që bëjnë seks jashtë vendit

42

Pretendimi: Kodi i Ri Penal parashikon burg nëse bën seks kur udhëton jashtë Shqipërisë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal nxitën debate të nxehta politike mbi mbrojtjen e gazetarëve nga neni i shpifjes. Përtej këtij diskutimi për lirinë e shprehjes, një numër portalesh shqipfolëse raportuan se drafti i Kodit të ri Penal shqiptar parashikoi gjithashtu dënimin me burg për “ata që bëjnë seks kur udhëtojnë jashtë Shqipërisë”. Lajmi ngjalli natyrshëm komente të shumta nga lexuesit, si dhe zëra publikë. 

Të gjitha këto raportime i referohen një neni të propozuar në draftin e Kodit të ri Penal, neni 108/b, i cili parashikon:

“Neni 108/b

Organizimi i udhëtimeve për qëllime seksuale

Organizimi i udhëtimeve për të tjerë, përkundrejt shpërblimit apo jo, me qëllim kryerjen e ndonjë prej veprave penale të parashikuara në këtë seksion ose në nenet 114, 114/a/1 dhe 117, pavarësisht parashikimeve ligjore përkatëse në vendin për ku organizohet udhëtimi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

Nëse kjo veprimtari kryhet nga personi juridik, gjykata, krahas dënimeve të tjera për të, vendos edhe mbarimin e personit juridik.”.

Siç vërehet me sy të lirë, neni nuk parashikon dënim për kryerjen e marrëdhenieve seksuale, term i cili nuk përmendet fare.

Neni parashikon dënim me 2-6 vite burg për personat që organizojnë udhëtime për të tjerë, me qëllim “kryerjen e ndonjë prej veprave penale të parashikuara në këtë seksion ose në nenet 114, 114/a/1 dhe 117.”

Seksioni në fjalë është seksioni i krimeve seksuale dhe veprat penale të parashikuara në të përfshijnë përdhunimin, përdhunimin e të miturve, përdhunimin e personave të pazotë për t’u mbrojtur, incestin, seksin në publik, dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual.

Neni 108/b parashikon dënim deri në 6 vite burg për persona që organizojnë udhëtime me qëllim përdhunimin, përdhunimin e të miturve, përdhunimin e personave të pazotë për t’u mbrojtur, incestin, seksin në publik, dhunën seksuale apo ngacmimin seksual.

Kjo do të thotë se nëse dikush organizon një udhëtim me qëllim që të kryhet një krim seksual, ai mban përgjegjësi penale edhe nëse akti ndodh jashtë Shqipërisë. Neni me gjasa synon të luftojë fenomenin e turizmit seksual, veçanërisht shfrytëzimin e të miturve, edhe kur këto krime ndodhin në vende të tjera.

Si shembull sqarues mund të përdorim rastin famëkeq të pedofilit dhe trafikantit amerikan Jeffrey Epstein. Epstein kishte në pronësi ishullin Little Saint James, nga ku akuzohej se operonte një rrjet trafikimi seksual të miturash. 

Nën nenin 108/b, nëse dikush do të organizonte një udhëtim në ishullin e Epstein me qëllim përdhunimin e të miturave, një vepër penale në Shqipëri, ligji shqiptar e dënon me 2 deri në 6 vjet burg. Mbetet për lexuesin të vendosë nëse ky dënim i duket i mjaftueshëm.