Pretendimi: Kjo video tregon një protestues që i shmanget policisë së emigracionit në një vaskë në Minnesota
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————–
Një video qesharake që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një protestues të veshur si viking në Minnesota, ShBA, i cili po i shmanget vrapit të një grupi të policisë së emigracionit (ICE).

Në disa qytete amerikane, përfshirë Minneapolis, kryeqytetin e Minnesota, ka pasur përplasje midis qytetarëve dhe agjentëve të ICE pas bastisjeve të ndryshme dhe operacioneve të kontrollit të imigracionit, dhe veçanërisht vrasjes së Renee Nicole Good më 7 janar dhe vrasjes së protestuesit Alex Pretti në 24 janar nga agjentët e ICE.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon një incident të vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
‘Agjentët’ e ICE duken identikë dhe lëvizjet e tyre janë të panatyrshme. Ata nuk mbajnë veshur uniformat standarde. Këmbët e oficerëve nuk prekin tokën dhe siluetat e tyre janë të shtrembëruara. Ndërkohë, fytyrat e njerëzve në video janë të turbullta.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimsht në Instagram, Facebook, TikTok, dhe YouTube nga llogaria “Strange AI.”

Në videon origjinale vërehet një tjetër gabim i programit gjenerues: ora shfaqet si “4:06 PHM” në vend të “4:06 PM.” Ndërkaq, televizioni “POVART”, logo e të cilit shfaqet në këtë video, nuk ekziston si media.

Në profilin e YouTube, përdoruesi shpjegon se StrangeAI është një llogari ku “botët, krijesat dhe fantazitë e çuditshme të gjeneruara nga AI marrin jetë”. AI shton: “Nga transformimet e mahnitshme te paroditë mahnitëse të IA-së, kanali ynë është destinacioni juaj ideal për histori futuriste dhe krijime dixhitale të çuditshme.”

Përshkrimi i kanalit në Youtube StrangeAI
Në përshkrimin e llogarisë StrangeAI në Facebook, gjithashtu, thuhet: “Përmbajtja ime është tërësisht Inteligjencë Artificiale dhe e redaktuar nga unë”.

Përshkrimi i llogarisë StrangeAI në Facebook
Për më tepër, përdoruesi e ka etiketuar videon si “komedi” dhe “meme”.
Për të mos lënë asnjë dyshim, menaxheri i faqes StrangeAI pranoi për Snopes se video ishte krijuar me Sora 2, një nga mjetet më të fundit të zhvilluara nga OpenAI për të transformuar tekstin në video shumë realiste.
Nuk ka raporte të tjera në shtypin vendas ose artikuj lajmesh që dokumentojnë ndonjë incident të ngjashëm.






