Premtimi për rimbursimin e biletës së transportit në Lezhë, në pritje të zbatimit

Bashkia Lezhë nis projektin me fokus tek të moshuarit

15

Një muaj para zgjedhjeve lokale të majit 2023, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, premtoi se do të rimbursonte gjysmën e biletës së transportit urban për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë.

“Në buxhetin e vitit 2024 do vlerësohet rimbursimi i gjysmës së biletës së transportit urban për moshën e tretë dhe kategoritë e tjera në nevojë,” deklaronte Ndreu gjatë një takimi elektoral.

Në vitin 2024, verifikimetFaktoje.al treguan se Bashkia Lezhë nuk kishte asnjë fond të planifikuar për premtimin e kryebashkiakut Ndreu. Edhe vitin e kaluar, Bashkia Lezhë konfirmoi se situata nuk kishte ndryshuar. Në buxhetin afatmesëm 2025–2027 nuk figuronte rimbursimi i biletës.

Sipas Bashkisë, e vetmja masë që lidhej me çmimin e biletave ishte një vendim i Këshillit Bashkiak që prekte invalidët e punës, miratuar vite para premtimit elektoral të Ndreut.

“Me Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.36, datë 28.03.2018 është parashikuar që vetëm invalidët e punës të përfitojnë 50 % ulje në çmimin e biletës,” sqaronte Bashkia Lezhë. 

Bashkia bënte me dije se ishte partnere në projektin ndërkombëtar SMART LAND, të financuar nga Interreg South Adriatik, nëpërmjet të cilit janë zhvilluar dy trajnime për të analizuar gjendjen e transportit publik dhe për të propozuar zgjidhje afatgjata.

Megjithatë, deri më nëntor të 2025, kur ne verifikuam premtimin, nuk ishte miratuar asnjë plan konkret apo afat për krijimin e një shërbimi urban.

Fakt

Këtë vit, situata ndryshoi. Pas verifikimeve të Faktoje.al, Bashkia Lezhë njoftoi se ka përfunduar një projekt ndërkombëtar (SMARTLAND1) dhe tashmë ka nisur zbatimi i (SMARTLAND 2).

Në kuadër të këtij projekti është parashikuar blerja e një automjeti për transportin publik, i cili do të përdoret posaçërisht për nevojat e moshës së tretë.

Blerja është e miratuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.113, datë 15.12.2025, ndërsa masa për rimbursimin e biletës do të përfshihet në Planin e Transportit që pritet të hartohet gjatë këtij viti.

Përfundim

Premtimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu për rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë, bazuar në informacionet e fundit të Bashkisë Lezhë, kategorizohet si premtim pjesërisht i mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.