Bill Gates nuk u rrethua nga protestues në Forumin e Davosit

8

Pretendimi: Kjo video tregon një grup njerëzish në dalje të Forumit të Davosit, duke rrethuar makinën e miliarderit Bill Gates 

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një turmë në Davos, Zvicër, që rrethon makinën e milarderit Bill Gates ndërsa e quajnë atë vrasës dhe kërkojnë arrestimin e tij.

Megjithatë, ky pretendim është i rremë.

Video e mësipërme nuk është xhiruar në Davos, në Zvicër, por në Downing Street, Londër. Kjo dëshmohet nga një krahasim pamor i videos me pamje të rezidencës zyrtare të Kryeministrit britanik në Londër.

Në tetor 2021, miliarderi Bill Gates vizitoi Londrën për të darkuar me Kryeministrin e atëhershëm Boris Johnson, i cili ftoi 20 figura më me ndikim të biznesit në botë për të ndihmuar në promovimin e interesave britanike në nivel ndërkombëtar.

Sipas revistës Newsweek, më 18 tetor 2021, protestues në Londër u mblodhën rreth një makine dhe bllokuan rrugën që të çonte në Downing Street me disa që bërtisnin “arrestoni Bill Gates” dhe mbanin pankarta kundër vaksinimit. Policia përfundimisht e shoqëroi automjetin në një hyrje tjetër të Downing Street. Nuk dihet se kush ishte në makinë.

Pamje të këtij incidenti u botuan në rrjet që në 2021. Në to, vërehen ngjashmëri me videon e mësipërme, si veshja e oficerëve të policisë.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror 2026 u zhvillua në Davos të Zvicrës, midis 19 dhe 23 janarit. Pamje filmike tregojnë se Gates ishte i pranishëm. 

Bill Gates flet në Forumin Ekonomik Botëror

Megjithatë, nuk ka patur asnjë raportim të besueshëm se ai është sulmuar nga ndonjë turmë që kërkon arrestimin e tij.

Video e mësipërme tregon një incident që ka ndodhur në Londër 5 vite më parë.