Pretendimi: Ky imazh i Statujës së Lirisë provon se ngrohja globale dhe rritja e nivelit të oqeaneve janë mashtrime
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————–
Dy foto të Statujës së Lirisë në Nju Jork, të cilat pretendohet se janë bërë me më shumë se 100 vjet diferencë, po qarkullojnë në rrjete sociale me pretendimin se ato janë prova të mjaftueshme për të vërtetuar se nuk ka patur ndonjë rritje të ndjeshme të nivelit të detit, një pasojë e njohur e ngrohjes globale.

Megjithatë, ekspertët e oqeanografisë dhe ndryshimeve klimatike paralajmërojnë se krahasimi fotografik nuk mund të përdoret si provë e sjelljes së nivelit të detit.
Problemi me imazhin e mësipërm qëndron pikërisht në mungesën e kontekstit. Pa e ditur nëse fotot janë bërë në baticë të lartë apo të ulët, nuk ka asnjë mënyrë për t’i krahasuar ato.
Metodat shkencore të matjes mund të përshkruajnë ndryshimet në nivelin e detit me shumë saktësi dhe ato tregojnë se ai është rritur ndjeshëm në Gjirin e Nju Jorkut gjatë njëqind viteve të fundit.
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane thekson se mënyra e saktë për të matur ndryshimet afatgjata është me anë të nivelit mesatar të detit, i llogaritur nga seritë historike që eliminojnë efektet momentale të baticave dhe kushteve të motit.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Oqeaneve të qeverisë amerikane, niveli i detit mund të rritet me dy mekanizma të ndryshëm si pasojë e ndryshimeve klimatike. Së pari, ndërsa oqeanet ngrohen për shkak të një temperature globale në rritje, uji i detit bymehet, duke zënë më shumë hapësirë në pellgun e oqeanit dhe duke shkaktuar një rritje të nivelit të ujit. Mekanizmi i dytë është shkrirja e akullit mbi tokë, e cila më pas shton ujë në oqean.
“Batica në Nju Jork ndryshon me rreth 1.5 metra. Në varësi të kohës së ditës kur është bërë fotografia, ndryshimi i dukshëm mund të jetë i madh ose praktikisht i papërfillshëm”, shpjegoi për Metsul Jacqueline Austermann, një profesore në universitetin Columbia e cila hulumton ndryshimet në nivelet e oqeanit.
Më tej, që nga viti 1856, NOAA ka mbajtur matje të vazhdueshme në Battery Park, të vendosur në majën jugore të Manhattanit, vetëm pak kilometra nga Statuja e Lirisë. Këto të dhëna konsiderohen si një pikë referimi për monitorimin e nivelit të detit në rajon.
Sipas NOAA, niveli relativ i detit në zonë është rritur rreth 30 centimetra në 100 vitet e fundit, me një shpejtësi mesatare prej afërsisht 3 milimetrash në vit. Në dekadat e fundit, kjo shpejtësi është përshpejtuar, duke arritur në rreth 4.5 milimetra në vit në Nju Jork.
Në shkallë globale, NOAA dhe NASA vlerësojnë se nivelet e oqeaneve janë rritur midis 20 dhe 25 centimetrave që nga viti 1880. Vetëm që nga viti 1993, rritja mesatare globale ka qenë pothuajse 10 centimetra, duke demonstruar intensifikimin të fenomenit kohët e fundit.
Rritja e nivelit të detit nuk është një fenomen teorik. Ndikimet e tij po ndihen.
Një studim i botuar pas Uraganit Sandy në vitin 2012 arriti në përfundimin se rritja e nivelit të oqeaneve shtoi afërsisht 8 miliardë dollarë dëme shtesë në rajonin e Nju Jorkut. Për më tepër, parashikimet nga Paneli i Ndryshimeve Klimatike të qytetit tregojnë se, deri në vitin 2050, nivelet e detit mund të rriten me 28 deri në 53 centimetra shtesë. Kjo do të rrisë frekuencën e të ashtuquajturave “përmbytje të ditëve me diell”, kur baticat jashtëzakonisht të larta shkaktojnë përmbytje edhe pa shi ose stuhi.
Sipas Kenneth G. Miller, profesor i Shkencave të Tokës dhe Planetare në universitetin Rutgers, mohimi i rritjes së nivelit të detit bazuar në imazhe të izoluara injoron dekada hulumtimi. “Rritja globale prej 3.3 mm në vit dhe rritja lokale në Nju Jork prej 4.5 mm në vit është një fakt i dokumentuar nga satelitët dhe matësit e baticës,” tha ai.






