Sigurim i detyrueshëm nga tërmetet, jashtë skemës përmbytjet dhe zjarret

15

Shtatë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, qeveria ende nuk ka miratuar ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Ministri i Financave, Petrit Malaj, kishte deklaruar se ligji i ri do të miratohej brenda dhjetorit 2025, por drafti vijon pezull.

I paqartë mbetet edhe primi i sigurimit, duke lënë të hapur pyetjen se sa do të paguajnë qytetarët për të siguruar banesat nga tërmeti.

Esmeralda Topi

Në dhjetor 2025, ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet do të miratohej brenda muajit. Ai e paraqiti nismën si një hap të domosdoshëm për një vend me risk të lartë sizmik, duke theksuar se konsultimet kishin përfunduar dhe se drafti ishte gati për miratim në qeveri.

“Ky projektligj do të miratohet në qeveri këtë muaj.”- deklaroi Malaj, gjatë një interviste televizive.

Pavarësisht këtij zotimi, drafti ende nuk ka marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave. Këtë janar, Malaj u detyrua të përsëriste përpara gazetarëve se miratimi do të ndodhte “shumë shpejt”. Ai nuk dhe shpjegime për vonesën,e as një afat të ri. 

Primi i paqartë

Drafti për sigurimin e detyrueshëm u hodh për konsultim publik korrikun e vitit të shkuar.  Në të parashikohet krijimi i një Fondi Kombëtar, organizuar si shoqëri aksionare shtetërore, që do të administrojë skemën.

Ky fond do të mbështetet nga primet e qytetarëve, buxheti i shtetit, risigurimi dhe grante të ndryshme. Por detaji më i ndjeshëm, tarifa/primi që çdo familje do të duhet të paguajë për sigurimin e banesës, mbetet ende i paqartë.

“Primi do të jetë lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. ”- tha Malaj.

Kufiri maksimal i shumës së sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa metodologjia e llogaritjes së primit do të jetë e bazuar në klasifikimin e banesave sipas riskut.

Skema parashikon që buxheti i shtetit të mbulojë primin për personat që përfitojnë ndihmë sociale. Ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore do të financojnë primin për banesat sociale.

Përjashtohen zjarret dhe përmbytjet

Skema e sigurimit përjashton zjarret dhe përmbytjet, ndonëse Shqipëria goditet çdo vit nga këto fatkeqësi natyrore, duke i lënë qytetarët të pambrojtur përballë rreziqeve të përsëritura.

“Përsa i përket fatkeqësive të tjera natyrore, zjarri, përmbytje e të tjera, ne nuk e kemi të parashikuar në këtë ligj. Pavarësisht se për çështjen e përmbytjeve kemi parashikuar diçka e cila më tej mund të shtjellohet me aktet nënligjore. Por për momentin ligji do të paraqitet vetëm për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti,”-argumentoi ministri i financave Petrit Malaj.

Drafti i konsultuar parashikon mbulim vetëm për banesat dhe seksionet brenda tyre, edhe kur përdoren si zyra apo njësi tregtare, ndërsa ndërtesat e ndërtuara me qerpiç, kallam apo struktura të përkohshme mbeten jashtë skemës.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e ministrit të financave Petrit Malaj se ‘projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet do të kalonte për miratim brenda dhjetorit 2025’, e kategorizojmë të pavërtetë.