E manipuluar kjo foto e Ramës të prangosur nga DEA amerikane

10

Pretendimi: Kjo foto paraqet kryeministrin shqiptar të arrestuar nga forcat speciale amerikane

Verdikti: E pavërtetë/ Foto e manipuluar

Barbara Halla

Përgjatë janarit, në rrjetet sociale qarkulloi një imazh i kryeministrit shqiptar Edi Rama i arrestuar nga agjentë të Zyrës Federale për Zbatimin e Ligjit të Drograve (DEA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pamjet paraqesin kryeministrin të rrethuar nga persona me uniforma dhe mbishkrimin DEA. Fotoja duket qartësisht që është manipuluar në mënyrë dixhitale (përmes programeve si Photoshop ose AI), por i shtohet rrebeshit të imazheve dhe deklaratave të manipuluara, sipas të cilave ShBA ka nisur hetime ndaj Ramës. 

Fotoja që është marrë për bazë për të krijuar këtë imazh filloi të qarkullonte në mediat sociale në fillim të janarit, pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat speciale amerikane. Siç e ka treguar Faktoje, edhe fotoja e Maduros ishte e gjeneruar me AI, dhe postuar për herë të parë nga një përdorues i platformës X/Twitter. Pra, këtu kemi të bëjmë me një imazh të manipuluar dy herë. 

Që nga arrestimi i Maduro me datë 3 janar 2026, në mediat shqiptare janë shpërndarë disa imazhe të manipuluar ose të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Po ashtu, kanë marrë dhenë dhe disa narrativa sipas të cilave Edi Rama mund të arrestohet nga ShBA në të njëjtën mënyrë si është arrestuar Maduro. Për momentin nuk ka asnjë provë, deklaratë, apo çështje gjyqësore kundër Ramës në SHBA, siç e ka shpjeguar Faktoje në një artikull tjetër ku janë hedhur poshtë këto narrativa.   

Në këtë rast, është e qartë se imazhi në fjalë është një foto e manipuluar apo e gjeneruar me mjete digjitale. Deri në këto momente nuk ka asnjë arsye për të menduar se Rama është arrestuar nga marinsat e ShBA.