Pretendimi: Aktori dhe moderatori Romeo Veshaj është bërë baba për herë të parë
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Lajmi se aktori Romeo Veshaj është bërë baba për herë të parë ka ngjallur interes të lartë te lexuesit. Pretendimi (link, link, link) shoqërohet me disa fotografi ku Veshaj shihet duke mbajtur në krahë një foshnjë të porsalindur, si edhe me imazhe të tij së bashku me Heidi Bacin, partneren e tij prej edicionit të Big Brother Vip 3. Gjatë ditëve të para pas publikimit në Facebook, figurojnë mbi 195 mijë shikime të këtij njoftimi për çiftin e dashur të ekranit. Megjithatë, ky pretendim që do ketë gëzuar shumë nëna shqiptare, nuk është i saktë.

Sipas raportimeve të mediave të tjera dhe informacionit të konfirmuar nga familja, foshnja e porsalindur nuk është vajza e Romeo Veshajt. Bëhet fjalë për vajzën e vëllait të tij, Mario, i cili së bashku me partneren, janë bërë prindër për herë të parë. Lajmi për lindjen e vajzës është bërë publik dhe është pritur me entuziazëm, duke shënuar një moment të rëndësishëm për familjen Veshaj.
Fotografitë nga materniteti, ku shfaqen Romeo pranë foshnjës, kanë kontribuar në keqinterpretimin e situatës. Një tjetër element që rrëzon pretendimin është mospërputhja mes personave të shfaqur në fotografi. Gruaja e fotografuar në shtratin e spitalit, e cila ka lindur foshnjën, është brune dhe identifikohet si Kristina Mere. Ndërkohë, në postimin viral janë përfshirë qëllimisht edhe fotografi të Romeo Veshajt me Heidi Bacin, që nuk ka asnjë ngjashmëri me nënën e re në fotot e publikuara.
Mediat rozë kanë folur për një ndarje të çiftit prej më shumë se një viti duke e rënduar më tej keqpërdorimin që është bërë në këtë rast me dy personazhet e ekranit.






