Austriaku që foli për konfiskimin e bazave amerikane asnjë lidhje me NATO-n

18

Pretendimi: Një zyrtar i NATO ka kërcënuar ShBA se nëse ata marrin Groenlandën, të gjitha bazat amerikane në Europë do të konfiskohen dhe ShBA “do të duhet të largohej.”

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————————–

Në ditët e para të vitit 2026, pasi forcat speciale amerikane rrëmbyen presidentin venezuelian Maduro, presidenti amerikan Donald Trump rideklaroi ambicien e ShBA për të marrë Groenlandën, duke mos përjashtuar edhe ndërhyrje ushtarake.

Një numër mediash shqipfolëse njoftuan 9 janar se një zyrtar i NATO kishte kërcënuar ShBA duke thënë: “Nëse merrni Groenlandën, ne do të marrim çdo bazë amerikane nga Aviano në Ramstein, nga Rumania e të gjitha bazat e tjera ushtarake, do të konfiskohen.”

Artikujt e mësipërm shpesh shoqërohen dhe me imazhe ilustruese që përmbajnë foton e Trump dhe të Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO, duke lënë të nënkuptohet se Rutte mund të jetë zyrtari i NATO në fjalë.

Megjithatë, në brendinë e artikujve citohet një postim i Gunther Fehlinger-Jahn, i cili përshkruhet si zyrtar i NATO.

Në videon e postuar më 5 janar, Gunther Fehlinger-Jahn, një ekonomist austriak dhe mbështetës i integrimit evropian, kritikon dëshirën e administratës Trump për të marrë në zotërim Groenlandën, një ishull që ka qenë pjesë e Danimarkës që nga viti 1953.

Në profilet e tij në rrjete sociale, Fehlinger-Jahn e përshkruan veten si “kryetar i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO.” Artikujt e mësipërm e marrin të mirëqenë që ky vetëpërshkrim e bën austriakun zyrtar të NATO.

Megjithatë, një thellim i vogël do të zbulonte se ky komitet nuk duket se ka lidhje as me organet zyrtare të BE dhe as me NATO. 

Në vitin 2023, kur u kontaktua nga Reuters, Fehlinger-Jahn sqaroi se komiteti në fjalë përbëhet nga ai vetë dhe “disa miq nga vendet që duan të bashkohen me NATO për t’u mbrojtur nga Rusia” dhe se ai nuk ka lidhje me NATO. 

“Nuk kam asnjë lidhje me NATO. Asnjë nga postimet e mia nuk përfaqëson ndonjë qëndrim zyrtar,” deklaroi Fehlinger-Jahn. Në një deklaratë, NATO gjithashtu konfirmoi për median se Fehlinger nuk ka lidhje zyrtare me organizatën.

Më 16 janar 2026, përsëri për Reuters, zyrtarët e institucioneve europiane sqaruan se Fehlinger-Jahn nuk punon për dhe nuk flet në emër të Këshillit Evropian, Këshillit të BE, Parlamentit Europian apo Komisionit Europian. 

Një zyrtar i NATO përsëriti për Reuters se Fehlinger-Jahn nuk kishte lidhje zyrtare me organizatën. “Ai nuk është punonjës i NATO”, tha zyrtari. “Pikëpamjet dhe opinionet e tij janë personale dhe nuk pasqyrojnë ato të Aleancës. Gjithashtu, pavarësisht titullit – ‘Komiteti Evropian për Zgjerimin e NATO-s’ – ky nuk është një komitet apo organ i NATO.”

Ministria e jashtme e Austrisë tha se Fehlinger-Jahn nuk kishte asnjë rol me qeverinë dhe as me misionin e saj në NATO, i cili menaxhon marrëdhëniet e Vjenës me aleancën si një vend jo-anëtar.

Fehlinger-Jahn është ekonomist, konsulent menaxhimi dhe punonjës zhvillimi, sipas faqes së tij të internetit. Nuk ka asnjë tregues nga përvoja e tij profesionale se ai flet në emër të BE ose NATO. Ai aktualisht është i përfshirë në promovimin e bashkëpunimit ekonomik midis Austrisë dhe Shqipërisë. Në fillim të viteve 2000, ai ishte sekretar i përgjithshëm i Unionit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të Partisë Popullore Evropiane, i cili promovon interesat e bizneseve të vogla dhe të mesme.

NATO është një aleancë politike dhe ushtarake kombesh. Një nga angazhimet e saj kryesore është që një sulm kundër njërit prej anëtarëve të saj të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve. ShBA dhe Danimarka janë të dyja anëtare të NATO. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi më parë se një sulm i ShBA ndaj Groenlandës do të shënonte fundin e NATO.