E keqinterpretuar batuta e kryediplomates Kallas për t’u bërë tapë

13

Pretendimi: Çmendet kryediplomatja e Bashkimit Europian Kaja Kallas duke thënë se bota po shkon keq kështu që tani është momenti për të pirë alkool

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————

Një batutë e shefes së politikës së jashtme të BE, Kaja Kallas, po qarkullon në media, përfshi ato shqipfolëse, si një “çmenduri” e kryediplomates.

Mediat i referohen një artikulli të revistës amerikane Politico, i cili citon dy persona që ishin të pranishëm në takimin e Konferencës së Presidentëve në fund të dhjetorit, një takim i udhëheqësve të grupeve të Parlamentit Europian, ku Kallas citohet të ketë thënë “çmendurinë” se gjendja aktuale e botës do të thotë se ky mund të jetë një “moment i mirë” për të filluar të pinte.

Sipas artikullit të Politico, Kallas e bëri shakanë pasi eurodeputetët filluan t’i uronin njëri-tjetrit një vit të ri të lumtur. Ata më pas shtuan se ngjarjet globale nuk e bëjnë aq vit të ri të lumtur, sipas njerëzve në dhomë. Në vazhdën e këtyre shkëmbimeve informale, Kallas bëri shaka se, edhe pse ajo nuk pi shumë alkool zakonisht, tani mund të jetë koha për të filluar duke pasur parasysh ngjarjet në të gjithë botën.

Ndryshe nga ç’nënkuptohet në raportimet mediatike, Kallas nuk këshilloi udhëheqësit evropianë të tjerët të fillonin alkoolin si një zgjidhje e problemeve aktuale me të cilën përballet BE. Ajo po fliste për vete dhe si një urim në mbledhjen e fundit të vitit para festave.

Ngjarjet globale të referuara më sipër me gjasa konsistojnë në kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të aneksuar Groenlandën nga Danimarka, protesta masive kundër regjimit islamist në Iran, konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Gaza dhe ndërhyrja e ShBA në Venezuelë.

Batuta informale e Kallas, e cila shprehu një ndjenjë të ndarë nga shumëkush në këtë situatë globale të nderë, u përfol nëpër media, duke u interpretuar qëllimisht si deklaratë serioze. Drejtori politik i kryeministrit hungarez Orban madje bëri thirrje që ajo të japë dorëheqjen prej kësaj deklarate.