Pretendimi: Kjo video tregon rezultatin e një vendimi të marrë së fundmi nga autoritetet gjermane për të ndaluar kripën për shkrirjen e akullit sepse dëmton mjedisin
Verdikti: Mungon konteksti
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një sërë njerëzish duke u mbajtur në parmakët e shkallëve të mbuluara me borë, për të mos rrëshkitur. Video shoqërohet me pretendimin se kjo situatë ka ndodhur sepse “autoritetet gjermane tani kanë vendosur të ndalojnë kripën për shkrirjen e akullit sepse “nuk është miqësore me mjedisin’”. Video dhe pretendimi është ndarë më pas në rrjet kryesisht nga kanale ruse duke vënë në lojë fokusin e Gjermanisë tek Agjenda e Gjelbër dhe “sakrificave” që u kërkohen qytetarëve në vendet evropiane ne emër të ndryshimeve klimatike.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme u filmua nga një gazetar i Morgen Post më 4 janar 2026 dhe tregon tifozë të hokejit në Berlin.
Eshtë e vërtetë se një pjesë e madhe e komunave gjermane e kanë kufizuar përdorimin e kripës për shkrirjen e akullit për arsye mjedisore, tha Ministria gjermane e Mjedisit për kolegët spanjollë të verifikimit të fakteve Maldita.
Kripa shkakton inflamacion në putrat e kafshëve shtëpiake nëse ecin mbi të për periudha të gjata dhe mund të çojë në tharjen e pemëve, ndotjen e depozitave të ujit në tokë dhe dëmtimin e ndërtesave historike, shpjegon Agjencia Federale Gjermane e Mjedisit (UBA).
Megjithatë, ndalimi i përdorimit të kripës nuk është një vendim i marrë së fundmi dhe në nivel federal në Gjermani. Debati rreth kësaj rregulloreje daton që nga vitet 1980, thekson UBA. Gjermania vepron në një mënyrë “mozaike” dhe disa qytete “vazhdojnë ta përdorin atë në rrugët kryesore, por e ndalojnë përdorimin e saj në shtëpi private”. Për më tepër, në raste të jashtëzakonshme, kripa përdoret edhe në shkallë ose në “sipërfaqe të tjera kritike”, si në videon e mësipërme.
Në qytete si Berlin dhe Bonn, rregulloret kanë qenë në fuqi të paktën që nga viti 2013, ndërsa marrëveshja ndërkombëtare të cilës i referohen rregulloret u nënshkrua në vitin 2015. Autoritetet gjermane këshillojnë trajtimin e akullit me materiale të tjera, të tilla si zhavorri, granulat ose rëra, të cilat, megjithëse nuk e shkrijnë akullin, zvogëlojnë rrezikun e rrëshqitjes.
Megjithatë, në situata të motit ekstrem, qeveritë komunale mund ta heqin kufizimin. Kjo ka ndodhur në Hamburg, ku është autorizuar përdorimi i kripës deri më 21 janar 2026, për shkak të një rreziku që “nuk mund të adresohet në mënyrë adekuate me pajisje mekanike të mirëmbajtjes dimërore”.
Gjobat për shkeljen e ndalimit të përhapjes së kripës ndryshojnë sipas vendndodhjes dhe mund të variojnë nga 500 deri në 50,000 euro në raste si Berlini.






