Llogaritë e mësuesit irlandez nuk u bllokuan prej refuzimit të gjinisë neutrale

11

Pretendimi: Mësuesit irlandez i bllokohet llogaria bankare për shkak të besimeve ideologjike ndaj gjinisë të nxënësve

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Pretendimet se një mësuesi në Irlandë i janë bllokuar llogaritë bankare për shkak të “ideologjisë gjinore” janë të rreme dhe shtrembërojnë faktet e një çështjeje gjyqësore që ka shkaktuar debat në nivel evropian. Postimi në shqip shpërndan narrativa që qarkulluan më herët në Kroaci dhe më pas në frengjisht e anglisht, duke sugjeruar se mësuesi Enoch Burke u ndëshkua sepse refuzoi t’u drejtohej nxënësve në mënyrë “neutrale” për identitetin e tyre gjinor. Vendimet e gjykatës irlandeze dhe sqarimet e ekspertëve ligjorë tregojnë të kundërtën.

Siç e shpjegon Agence Presse France, e cila ka verfikuar çështjen, dënimi i Enoch Burke, ish-mësues në Wilson’s Hospital School në qarkun Westmeath, nuk lidhet me bindjet e tij fetare apo me refuzimin për përdorimin e përemrave gjinorë ndaj nxënësve, por me mosrespektimin e përsëritur të vendimeve të gjykatës.

Ai u pushua nga puna më 22 gusht 2022 pasi ndërpreu një shërbim përkujtimor, dhe u ballafaqua me drejtorin e shkollës. Pas këtij pushimi, çështja e Burke u kthye në penale, pasi mësuesi vazhdoi të paraqitej në ambjentet e shkollës në kundërshtim me urdhrat gjyqësorë. 

Më 19 maj 2023, një vendim gjykate u lëshua kundër Burke pasi ai vazhdoi të shkonte në ambjentet e shkollës. Burke përfundoi edhe në burg për shkak të sjelljes së tij. Gjykata po ashtu lëshoi dhe një gjobë kundër Burke, të cilën ai vazhdoi të mos e paguante. 

Që prej vendimit të parë të gjykatës në 2023, ai refuzoi të paguante gjobat dhe u akuzua gjithashtu për mungesë respekti ndaj gjykatësit. Sipas gjykatës, në shkurt 2025, ai i detyrohej gjykatës rreth 79,100 euro në gjoba të papaguara. Si rrjedhojë e këtij refuzimi, gjykata ka urdhëruar marrjen e vlerës nga llogaritë bankare të Burke deri në shlyerjen e saj të plotë. 

Postimet që u përhapën në Facebook dhe Telegram, përfshirë një video ku Burke shfaqet pranë një bankomati duke pretenduar se llogaria e tij ishte “plaçkitur”, e paraqesin rastin si ndëshkim për “kundërshtim të ideologjisë gjinore”. Megjithatë, gjyqtari i çështjes ka theksuar se kjo është e pavërtetë dhe se dënimet lidhen vetëm me refuzimin e Burke për t’iu bindur ligjit. Një ekspert ligjor nga Universiteti i Dublinit i tha AFP se gjykatat irlandeze nuk kanë shqyrtuar asnjëherë meritat e debateve mbi përemrat apo çështjet gjinore në këtë rast.

Në vend që të jetë një shembull i “persekutimit ideologjik”, rasti i Burke ilustron pasojat ligjore të shpërfilljes së qëllimshme të urdhrave të gjykatës, mospagimin e gjobave dhe detyrimeve, dhe përpjekjet e autoriteteve për të zbatuar ligjin.