I rremë lajmi për zbulimin e vrasësit me pagesë të Sokol Olldashit

8

Pretendimi: Zbulohet vrasësi me pagesë i politikanit të ndjerë Sokol Olldashi

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Një postim në Facebook pretendon se, mbi 10 vjet pas vdekjes së papritur të politikanit Sokol Olldashi në vitin 2013, vrasësi i tij është zbuluar. Foto që shoqëron postimin përfshin edhe portretin e Nuredin Dumanit, personit të akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale dhe që ka pranuar të bashkëpunojë me Drejtësinë. Pas këtij prezantimi intrigues, lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Në brendësi të artikullit zbulohet se kemi të bëjmë me një titull të rremë, që ka për synim të tërheqë interesin e përdoruesve dhe rrisë klikimet me qëllim përfitimi.

Artikulli në brendësi nuk zbulon asnjë emër vrasësi, apo ndonjë provë që Olldashi është vrarë nga një vrasës me pagesë.

Ai pretendon se “në rrjete sociale dhe disa portale janë shpërndarë deklarata dhe tituj tronditës që pretendojnë se pas vdekjes së Olldashit fshihet një akt kriminal i organizuar,” megjithatë nuk referon asnjë nga këto postime dhe tituj të pretenduar.

Më tej, vetë artikulli shkruan se “asnjë institucion zyrtar nuk ka konfirmuar ekzistencën e një vrasësi apo skeme kriminale.”

Sokol Olldashi vdiq më 20 nëntor 2013 si pasojë e një aksidenti automobilistik në Krrabë të Tiranës. Hetimet e deritanishme nuk kanë gjetur ndonjë provë që mund të mbështesë dyshimin për një manipulim të automjetit të të ndjerit.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë lajme të rreme për zbulimin e vrasësit të Ollashit, që kanë për qëllim mbledhjen e klikimeve.
Faqja e Facebook që ka ndarë këtë lajm të rremë ka ndarë dhe më parë lajme të rreme të ngjashme, duke pretenduar se gazetari shqiptar Enkel Demi kishte ndërruar jetë.