Pretendimi: Ky imazh tregon një person të maskuar që endet natën rrugëve të Prishtinës, duke i përndjekur qytetarët
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————–
Një imazh që qarkulloi gjerësisht në mediat dhe rrjete sociale shqipfolëse javën e dytë të janarit 2026 pretendohet se tregon “Fantazmën e Prishtinës,” një person i maskuar që endet natën rrugëve të kryeqytetit kosovar. Imazhi shoqërohet edhe me pretendimin se qytetarët ankohen se ky person i maskuar po “i tmerron” me pamjen e tij duke i përndjekur ata gjatë natës.

Megjithatë, lexuesit shqiptarë në të dyja anët e kufirit nuk duhet të frikësohen. Fantazma e Prishtinës nuk është reale. Imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka përgënjeshtruar vërtetësinë e imazhit më 12 janar në Facebook, duke e etiketuar imazhin si të gjeneruar me AI dhe duke këshilluar mediat “të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik.”

Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës ka mohuar se ka marrë ndonjë ankesë apo informacion nga qytetarët lidhur me një person të tillë që po terrorizon qytetin. “Policia e Kosovës drejtoria e kryeqytetit deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo informatë nga qytetarët lidhur me këtë çështje,” deklaroi zëdhënësi Enis Pllana për emisionin Rreth e Rrotull.
Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë postuar imazhe të ngjashme që dëshmojnë origjinën artificiale të imazhit, dhe sa e thjeshtë është tashmë të gjenerosh imazhe të tilla.

Të shumtë janë dhe bizneset vendase që përfituan nga interesi që ngjalli ky personazh për ta kthyer atë në një promovim në format humori për produktet e tyre. Deri më tani, nuk është raportuar ndonjë kërkesë e “fantazmës së Prishtinës” për ndonjë shpërblim nga përdorimi i imazhit për qëllime marketingu.

Një nga postimet e marketingut që shfrytëzuan famën e “fantazmës”






