E manipuluar foto me tiparet mashkullore e Michelle Obama

9

Pretendimi: Kjo foto tregon Barack dhe Michelle Obama në versionin mashkullor

Verdikti: Foto e manipuluar

Barbara Halla

Një fotografi e ish-presidentit amerikan Barack Obama me bashkëshorten e tij, Michelle Obama, me një pamje mashkullore, po qarkullon së fundi në Facebook në gjuhën shqipe. Kjo pamje është pjesë e një teorie të hershme konspirative që pretendon se ish-Zonja e parë e ShBA është një grua transgjinore. Verifikimet zbulojnë se bëhet fjalë për një fotografi të manipuluar dhe jo një imazh origjinal. 

Verifikimet e mëparshme nga media ndërkombëtare, përfshirë Fact Crescendo, konfirmojnë se imazhi është manipuluar në mënyrë dixhitale për ta bërë Michelle Obama të duket më “mashkullore.” Më pas fotoja është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale në gjuhë të ndryshme që prej vitit 2024, para se të vijnë ëdhe në Shqipëri përmes Facebook-ut. 

Siç mund të vërtetohet përmes Google Lens versioni origjinal i fotos është ndarë nga vetë Michelle Obama më 25 dhjetor 2014 si pjesë e një urimi përgjatë festave të fundvitit. 

Në versionin origjinal, Michelle Obama shfaqet normalisht dhe pa asnjë nga tiparet mashkullore që shihen në imazhin e manipuluar. Krahasimi i dy fotove konfirmon një ndryshim në pjesën e flokëve në anën e majtë të kokës, duke dhënë impresionin e një qethjeje mashkullore si dhe dritënhije tek buzët, që krijojnë idenë e mustaqeve.

Krahasimi mes fotos origjinale (me ngjyra) dhe asaj të manipuluar

Dizinformata të tilla ndaj Michelle Obamës qarkullojnë në rrjet që prej vitit 2014, kur humoristja  Joan Rivers bëri një shaka kundër Barack Obama dhe të shoqes, duke e akuzuar ish-Presidentin se ishte gay dhe të shoqen se është një grua transgjinore. Në dekadën e fundit imazhe të manipuluara janë shpërndarë gjerësisht në rrjet duke nxitur gjuhë urrejte ndaj çiftit Obama.