Pretendimi: Edi Rama ka thënë se nëse SHBA-ja përpiqet ta arrestojë, do ta pësojë keq
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Në rrjetet sociale po qarkullon në ditët e para të janarit pretendimi se kryeministri shqiptar Edi Rama po sfidon publikisht Shtetet e Bashkuara në rast të një tentativë për të përsëritur në Shqipëri skenarin e arrestimit të presidentit venezuelian. Ky postim shoqërohet me një fotografi ku Rama mburret gjithashtu me sistemin mbrojtës të Shqipërisë, duke përmendur raketat Javelin dhe anijet patrulluese.

Kemi të bëjmë me një keqinterpretim të demostrimit të arsenalit ushtarak të vendit tonë nga kryeministri shqiptar. Deklarata origjinale e Ramës për ushtrinë shqiptare është e vërtetë dhe u bë më 30 dhjetor gjatë konferencës vjetore me gazetarët. Gjatë një përgjigjeje ndaj pyetjeve të gazetarëve, kryeministri u shpreh se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke kaluar edhe Serbinë, dhe se ushtria disponon raketa Javelin, tre anije patrulluese të dhuruara nga Italia, si dhe radarë falë bashkëpunimit me Francën. Rama foli gjithashtu për ambicien që Shqipëria të bëhet një vend prodhues i industrisë ushtarake, duke filluar me prodhimin e dronëve luftarakë dhe sistemeve antidron.
Kjo deklaratë e Ramës u shpërnda në Facebook përmes imazhit të mësipërm, që më pas u manipulua për t’i shtuar deklaratën mbi Venezuelën.

Sidoqoftë, deklarata për “pasojat” që do të pësojë Amerika nëse përpiqet ta arrestojë Ramën është një shtesë e manipuluar që nuk gjendet askund në fjalimin origjinal të 30 dhjetorit. Nuk ka asnjë provë se Rama ka bërë ndonjëherë një deklaratë të tillë.
Deri në këto momente, nuk ekziston një arsye për të besuar se kryeministri shqiptar është nën kërcënimin e një operacioni ndërhyrjeje të mundshme nga qeveria amerikane. Shqipëria është një aleat i ngushtë i NATO-s dhe mban marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara për momentin.






