Pavarësisht rritjes, X nuk është platforma kryesore e informacionit në BE

10

Pretendimi: Platforma X është më e përdorura për informimin në Bashkimin Evropian

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Në mediat sociale shqiptare po qarkullon pretendimi se X, platforma e njohur më parë si Twitter, është bërë “burimi numër 1 i lajmeve në çdo vend të Bashkimit Evropian.” Kjo narrativë po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale si në Shqipëri dhe më tutje, pas një serie postimesh nga pronari i platformës, Elon Musk. 

Më datë 7 dhjetor 2025, Elon Musk publikoi në platformën e tij një postim ku shprehej se “X po sheh shkarkime rekord në shumë vende të Evropës.” Ai shkruajti po ashtu se X është bërë platforma më e lexuar për lajmet në të gjithe Bashkimin Evropian. Këto pretendime u bënë publike nga Musk pasi Komisioni Evropian e gjobiti kompaninë e Musk për shkelje të ndryshme të ligjeve mbi informacionin dixhital në vendet e Bashkimit Evropian. 

Këto deklarime të Musk nuk bazohen në të dhëna të verifikueshme statistikore. Pretendimi se X është burimi numër një i lajmeve në Europë është shpërndara nga llogaria Tesla Owners Silicon, por nuk të çon në asnjë raport apo të dhëna konkrete mbi origjinën e këtyre numrave. 

Sipas Euronews, e cila i hodhi poshtë pretendimet e Musk, në disa vende të BE-së, X është shfaqur përkohësisht në krye të kategorisë “News” në dyqanet e aplikacioneve, veçanërisht në App Store. Ky kategorizim i kufizuar vetëm për një nga platformat operative, nuk përfaqëson përdorimin real të platformës si burim kryesor informacioni. 

Kur analizohen renditjet e përgjithshme të shkarkimeve, X nuk rezulton aplikacioni më i përdorur në shumicën e vendeve të mëdha të BE-së, si Gjermania, Franca, Italia, Spanja apo Polonia. Në shumë raste, ai nuk figuron as në dhjetëshen e parë.

Të dhënat nga palë të treta dhe nga Google Play tregojnë se nuk ka pasur ndonjë rritje të papritur apo “rekord” të shkarkimeve të X në Evropë. Përkundrazi, listat dominohen nga platforma të tjera si TikTok, Instagram, WhatsApp dhe YouTube. 

Studimet afatgjata e përgënjeshtrojnë gjithashtu këtë pretendim. Raporti i Institutit Reuters për Lajmet Digjitale për vitin 2025 tregon se publiku evropian, ndonëse gjithnjë e më aktiv në rrjetet sociale, vazhdon të mbështetet më shumë tek mediat tradicionale sesa tek platformat sociale, si X. Kur përdoren rrjetet sociale për lajme, Instagrami, TikTok-u dhe YouTube rezultojnë dukshëm më të preferuara.

Pretendimi se të 27 vendet e BE-së “mbështeten tek X më shumë se çdo media tjetër” nuk mbështetet nga asnjë provë e besueshme. Ai buron nga një interpretim selektiv i renditjeve të aplikacioneve dhe nga një kontekst politik i tensionuar mes Elon Musk dhe institucioneve evropiane, jo nga realiteti i konsumit të lajmeve në Evropë.