Pretendimi: Gruaja që ndez cigaren duke djegur foton e liderit iranian Ayatollah Khameini ndodhet në Iran, ose është kanadeze
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Një video që po qarkullon gjerësisht në rrjet ndërsa protestat antiqeveritare në Iran vijojnë, duket se tregon një vajzë që sfidon regjimin duke djegur publikisht foton e liderit fetar iranian Ali Khamenei dhe ndezur cigaren në flakën e krijuar.
Disa media shqipfolëse e kanë ndarë videon e vajzës rebele me pretendimin se ajo është xhiruar në Iran, ndërsa profile në rrjete sociale pretendojnë se gruaja në video është kanadeze.


Në të vërtetë, fotografia është bërë në Kanada, por kjo nuk vërteton se vajza nuk është iraniane.
Autorja e pamjes dhe videos është aktive në mediat sociale me llogarinë X @melianouss, ku përdor pseudonimin “Morticia Addams.”

Vajza ndau edhe një pamje të ekranit për të vërtetuar se videoja me cigare është bërë më 7 janar 2026.

Në profilin e saj në Instagram @meliacurls, ajo nënshkruan si Melia. Në biografinë e saj shfaqen dy flamuj: kanadez dhe iranian.

Në profilin e saj ka një video në të cilën ajo flet në persisht (Farsi), duke iu drejtuar drejtpërdrejt atyre që synojnë të marrin pjesë në protestat kundër regjimit. Në video, ajo ofron këshilla praktike se si të zvogëlohet rreziku i arrestimit, duke shpjeguar se çfarë duhet bërë nëse ndaloheni në rrugë ose në shtëpi, duke i nxitur njerëzit të mos dalin vetëm, të mos nënshkruajnë rrëfime, të mos pranojnë asgjë dhe të mbrojnë pajisjet e tyre elektronike. Ajo gjithashtu këshillon njerëzit të deklarojnë veten thjesht si kalimtarë dhe të mos i nënshtrohen presionit psikologjik të forcave të sigurisë.

Në X/Twitter, gruaja tha se regjimi iranian ishte përpjekur ta heshtte për vite me radhë dhe se ajo u detyrua të largohej nga vendi i saj.

“Regjimi islamik dështoi të më heshtë në Iran për vite me radhë, pavarësisht torturave, poshtërimit dhe kërcënimeve. Tani, duke më etiketuar si sioniste dhe duke shfrytëzuar faktin se, pas vitesh lufte, u detyrova të largohesha nga vendi im sepse jeta ime ishte e kërcënuar nga regjimi islamik, a po përpiqeni të përfundoni atë që vetë regjimi dështoi të bënte?
Akuzat tuaja nuk do të më dëmtojnë, sepse jam plotësisht e vetëdijshme se shumë prej jush mbështesin regjimin islamik, pasi interesat tuaja jo-humanitare shërbehen nga mbijetesa e këtij regjimi kriminal,” shkroi ajo më 10 janar 2026.
E kontaktuar nga kolegët italianë të verifikimit të fakteve të Open, gruaja në foto konfirmoi se është iraniane dhe u detyrua të largohej nga vendi disa muaj më parë për shkak të kërcënimeve nga regjimi islamik. Lidhur me fenë, ajo e deklaron veten agnostike.






