Sebi Alla Mes tensionit, ku shumë nga 35 deputetët e opozitës që e mbështetën, protestonin edhe kundër tij, Endri Shabani u betua në Parlament si Avokat i Popullit dhe në ikje dha një puthje jo pa ironi deputetëve të opozitës.
Në këtë mënyrë nisi zyrtarisht puna e Avokatit të Popullit me mandat 5-vjeçar.
Opozita protestoi sot mes kaosit kundër zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar leje për arrestim (heqje imuniteti), e akuzuar për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në tetë raste.
Në shenjë revolte karrigia e zëvendëskryeministres u përmbys në sallë dhe pavarësisht tensionit të krijuar seanca zgjati pak, duke vijuar me rendin e ditës.
Gjykata
Ndërsa në Parlament përplasja mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës vijoi gjatë, në të njëjtën orë, në Gjykatën e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë të vendosur më parë nga GJKKO e shkallës së parë “pezullim nga detyra dhe ndalim për daljen jashtë vendit të ministres Balluku”.
Masa “pezullim nga detyra” tashmë konsiderohet nul, pasi një vendim i ndërmjetëm i Gjykatës Kushtetuese caktoi datën 22 janar për shqyrtim në themel dhe deri në shprehjen përfundimtare pezullimi rrëzohej, duke rikthyer në detyrë Ballukun.
Vendimi i Kushtetueses u dha më datë 12, por vetëm katër ditë më pas, Prokuroria Speciale, SPAK, nisi në Kuvend kërkesën për “dhënien leje” për arrestimin e Ballukut, tashmë me disa element të tjerë të veprës penale, e dyshuar për ndikim në “shkeljen e barazisë së pjesëmarrsve në tendera”, në tetë raste. Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit për zv/kryeministren Belinda Balluku, ndërsa në lidhje me “pezullimin ndga detyra” kjo gjykatë vendosi pezullimim të shqyrtimit të kërkesës për aq kohë sa Gjykata Kushtetuese e ka rikthyer në detyrë.
Debati në Këshill
Çështja sa juridike është edhe politike. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, informoi zyrtarisht anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për zhvillimin e mbledhjes më datë 19 dhjetor.
Gazment Bardhi tha se vota e tyre do të jetë pro heqjes së imunitetit të Ballukut, për të cilën SPAK kërkon të caktojë masë sigurisë arrest me burg ose arrest shtëpie.
“Shqiptarët nuk mund të jenë peng i një qeverisje të korruptuar dhe që bashkëpunon me krimin e organizuar. Prandaj unë dua t’i shpreh mirënjohjen secilit deputet të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që sot u ngrit në lartësinë e detyrës së tij për t’i shërbyer interesit publik. Së dyti, po, ne do të marrim nesër pjesë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve, ku vota jonë dhe qëndrimi jonë është i qartë, pro drejtësisë dhe pro përgjegjësisë të një zyrtari të korruptuar, zyrtari më të korruptuar pas Edi Ramës, që është Belinda Balluku. E kam thënë edhe dje, nuk do të ketë asnjë mundësi askush në atë Kuvend që ta mbyllë korrupsionin e Belinda Ballukut në kasafortë”, tha Bardhi.
Ai përmendi edhe përplasjen me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, të cilin e akuzon se po fsheh provat kundër Belinda Ballukut.
USB-ja për Ballukun “mollë sherri”
Kjo akuzë e Bardhit vjen pasi provat e SPAK për Ballukun, një USB që është depozituar në Kuvend, ende nuk iu janë vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit. Materialet që përmban USB-ja janë konsideruar sekret hetimor nga Peleshi dhe janë kyçur në kasafortën e protokollit. Peleshi thotë se mbledhjen që do të mbahet nesër do të diskutohet në prani të prokurorëve të SPAK nëse materiali sekret do t’iu vendoset në dispozicion deputetëve.
Aty pritet të shihet edhe nga do të anojë vota e mazhorancës nëse do të japë ose jo leje për arrestimin “heqjen e imunitetit” për numrin dy të qeverisë. Një tjetër mundësi është që Parlamenti të mos e kalojë çështjen për votim për tre muaj, çka automatikisht rrëzon kërkesën e SPAK.
Në një qëndrim në rrjetin social X, kryeministri Edi Rama tha se: “… do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”.






