Kujdes nga këshilla për shërimin e reumatizmës me sodë buke

13

Pretendimi: Soda e bukës shëron reumatizmën përgjithmonë

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Në ditët e fundit, një seri postimesh në mediat shqiptare kanë promovuar lajmin se soda e bukës është një sekret natyral që mund të shërojë reumatizmën dhe artritin përgjithmonë. Këto këshilla rezultojnë të ekzagjeruara dhe nuk mbështeten nga studime shkencore të plota.

Artikulli në fjalë nuk përmend asnjë burim shkencor përsa i përket pretendimit se soda e bukës shëron reumatizmat. Nevojitet të theksohet se ka patur disa studime të cilat analizojnë sesi ushqimet dhe mjekimet që konsumojnë personat që vuajnë nga reumatizma ndikojnë tek simptomat e tyre. Për shembull, një studim i vogël i vitit 2018, i kryer nga Kolegji Mjekësor i Georgias në Universitetin e Augustës në SHBA, zbuloi se soda e bukës (natriumi bikarbonat) mund të ketë veti anti-inflamatore. Pra, ajo mund të uli ndjesinë e dhimbjes apo djegies që ndejnë personat me reumatizëm. 

Ky studim më pas u qarkullua në mediat anglisht-folëse si provë se soda e bukës shëron reumatizmin, nga ku është shpërndarë prej vitesh në internet dhe ekzagjeruar. 

Studimi u krye mbi minj dhe njerëz dhe tregoi se kur njerëzit pinin një solucion që përmban sodë buke, kjo nxiste qelizat e nevojshme të ulin përgjigjen e sistemit imunitar. Është pikërisht sistemi imunitar që kur akvitizohet për t’ju përgjigjur një problemi në trupin e njeriut, pastaj shkakton edhe dhimbje, inflamacion, apo fryrje. 

Megjithatë, këto gjetje bazohen në një studim shumë të vogël, i cili nuk është konfirmuar nga studime të mëtejshme më të gjera. Për me tepër, studimi nuk thotë se soda e bukës “shëron reumatizmën përgjithmonë.” Ushqimet apo barna me sodë buke mund të ulin dhimbjen, por nuk zhdukin problemin e reumatizmit. 

Për më tepër, ky studim përfshinte vetëm minj dhe njerëz të shëndetshëm, jo individë që jetojnë me reumatizëm apo probleme të ngjashme. Aktualisht nuk ekziston asnjë provë konkrete se soda e bukës ndihmon në lehtësimin e sigurt të simptomave të reumatizmës. Siç e shpjegonë Scarleet Bergam për revistën mjeksore myRAteam, e cila fokusohet tek problemet e reumatizmit, konsumimi i tepërt i sodës së bukës mund të çojë në rreziqe shëndetësore serioze. Sasia e madhe mund të prishë ekuilibrin natyror të pH-së dhe elektroliteve të trupit. Soda e bukës mund të ndërveprojë negativisht edhe me ilaçe të tjera, si diuretikët. Në SHBA, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), nuk e ka rekomanduar klinikisht marrjen nga goja të sodës së bukës për trajtimin e reumatozës.