Pretendimi: Një nga autorët e sulmit terrorist të 14 dhjetorit 2025 në Australi, ishte një ushtar që shërbeu në Gaza
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————-
Më 14 dhjetor 2025, të paktën 16 persona humbën jetën dhe 38 të tjerë u plagosën pasi dy persona të armatosur qëlluan me armë në një aktivitet që shënonte ditën e parë të festës hebraike Hanukkah në Bondi Beach, Australi.
Megjithëse kanë kaluar fare pak ditë nga sulmi terrorist, në rrjete sociale tragjedia ka nisur të frymëzojë keqinformim të shumëllojshëm.
Ndër të tjera, në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se njëri nga autorët e dyshuar të masakrës, Naveed Akram, është një ushtar i forcave izraelite që kishte shërbyer në Gaza dhe ishte kthyer në Australi. Më tej, sulmi terrorist në një aktivitet hebraik, pretendohet se ishte organizuar për të implikuar në mënyrë të rreme myslimanët.

Megjithatë, nuk jepet asnjë provë, burim, apo referencë që e mbështet këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Komisioneri i Policisë së New South Wales, Mal Lanyon, tha se bëhet fjalë një sulm terrorist i kryer nga dy burra me lidhje familjare. Njëri prej tyre, 50-vjeçar, vdiq pasi u qëllua nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit që ndodhi gjatë sulmit, ndërsa tjetri, një burrë 24-vjeçar, u plagos rëndë dhe u arrestua nga policia.
Të dy burrat u identifikuan si Sajid Akram dhe djali i tij Naveed Akram, raportuan më vonë mediat australiane. Siç specifikuan më vonë autoritetet vendase, Sajid Akram kishte një leje të vlefshme për armëmbajtje, të marrë pas përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë për një leje gjuetie, zyrtarisht e lidhur me gjashtë armë zjarri, katër prej të cilave u përdorën në sulm. Ai u zhvendos nga Pakistani në Australi në 1998 me një vizë studentore dhe ndërtoi familje në këtë vend.
Djali i tij, Naveed Akram, megjithatë, është një shtetas australian që punon si murator. Autoritetet e kanë identifikuar 24-vjeçarin si banor të periferisë perëndimore të Sidney, Bonnyrigg. Ai ndoqi shkollën e mesme Cabramatta, raportoi Sydney Morning Herald.
Sipas kryeministrit australian Anthony Albanese, Naveed Akram ishte vënë nën shqyrtim nga inteligjenca australiane në tetor 2019 për lidhjet e tij të dyshuara me njerëz të konsideruar të rrezikshëm, por nuk u gjet se ai përbënte një kërcënim. ABC News raportoi, duke cituar burime që kërkuan anonimitet, se në atë kohë, Naveed Akram ishte hetuar për lidhjet e tij të ngushta me një qelizë terroriste me bazë në Sydney të të ashtuquajturit Shtet Islamik (ISIS), dhe se policia beson se dy sulmuesit ishin besnikë ndaj ISIS. Deri më tani, nuk ka pasur konfirmim zyrtar të këtyre raporteve.
Si përfundim, nuk ka prova se Naveed Akram është një ushtar i ushtrisë izraelite që u kthye në Australi nga Gaza.






