E gjeneruar video e çadrave të përmbytura në Gaza

15

Pretendimi: Kjo video tregon një familje të përmbytur nga shirat në Gaza

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një familje në Gaza, tenda e të cilëve është përmbytur.

Në 11 dhjetor 2025, shira të rrëmbyeshëm përfshinë Rripin e Gazës, duke përmbytur qindra tenda që strehonin familjet e zhvendosura nga dy vjet luftë dhe duke çuar në vdekjen e një vajze 8 muajshe nga i ftohti.

Një raport i OKB tha se 761 vende zhvendosjeje që strehojnë rreth 850 mijë njerëz janë në rrezik të lartë përmbytjeje dhe mijëra njerëz janë zhvendosur në pritje të shirave të rrëmbyeshëm.

Megjithatë, video që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon pamje nga përmbytjet në Gaza. Në të vërtetë, ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Tregues kryesor i kësaj janë gabimet logjike dhe mospërputhjet me realitetin, si, në këtë rast, koka e ‘fëmijës’ me bluzë të verdhë, e cila është kthyer mbrapsht në mënyrë jo realiste. 

Llogaritë në TikTok po shpërndajnë sasi të mëdha videosh të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që imitojnë pamje reale të përmbytjeve nga Rripi i Gazës. Kjo lloj përmbytjeje me përmbajtje AI është e zakonshme gjatë krizave, pasi klipet janë të dizenjuara për të gjeneruar shikime dhe ndjekës.