Asnjë bazë për profecinë me alienë nga parashikuesja bullgare

25

Pretendimi: Baba Vanga ka parashikuar një profeci aliene që mund të ndryshojë botën në vitin 2026

Verdikti: E paprovuar

————————————————————–

Teksa afrohet fundi i vitit dhe fillimi i një tjetri portalet shqiptare kanë nisurriciklojnë titujt alarmantë për profecitë e ndryshme mbi vitin që na pret, përfshi ato që pretendohet se vijnë nga ‘parashikuesja’ bullgare Baba Vanga.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen.

Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.

Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa dhe luftëra botërore. 

Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”

Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftëra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.

Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”

Colitco vijon:

“Pra, nëse nuk ka të dhëna zyrtare, nga kanë ardhur këto parashikime? Vitanova-Kerber beson se shumë nga këto pretendime rrjedhin nga njerëzit që e vizituan Baba Vangën kur ajo ishte gjallë.

Vite më vonë, këta individë kujtojnë detaje të reja, duke thënë: “Oh, ajo më tha këtë dhe atë”, shpjegoi ajo. Për shembull, nëse Baba përmendi “një sëmundje të madhe” gjatë një leximi, njerëzit tani mund të supozojnë se ajo po parashikonte COVID-19. 

Mbesa e Baba, e cila jetoi me mistiken, është një tjetër burim i këtyre parashikimeve. Sipas Vitanova-Kerber, mbesa pretendon se ka shkruar disa nga profecitë e Babës, por ende nuk ka dhënë ndonjë provë. Në një intervistë të vitit 2021, ajo madje sugjeroi që Baba e kishte parashikuar COVID-19 që në vitin 1988, por deklaroi se po pret “momentin e duhur” për të nxjerrë provat.”

Këto prova të pretenduara ende nuk janë bërë publike.

Vlen të përmendet, për lexuesit që mund të jenë ende nervozë, se parashikimet që i janë atribuuar Baba Vangës për vitin 2025 përfshijnë nisjen e Luftës së Tretë Botërore dhe zbritjen e alienëve në Tokë. Deri në botimin e këtij shkrimi, fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk është përmbushur.