Firma e ndryshuar e Biden si president nuk provon klonimin e tij

20

Pretendimi: Ndryshimi i firmës së ish-presidentit Biden provon se ai ishte klonuar

Vlerësimi: E paprovuar

Barbara Halla

Akuzat për shëndetin e presidentit Joe Biden dhe pamundësinë e tij për të vijuar një mandat të dytë ishin pjesë e fushatës presidenciale në ShBA. Si provë e këtyre dyshimeve ishte dhe pretendimi se Biden ishte zëvendësuar nga një sozi e tij për të vijuar funksionet drejtuese. Si provë për këtë pretendim sillet ndryshimi i imazhit dhe modelit të firmës së presidentit të 46-të. Ky pretendim është publikuar së fundi edhe nga një profil shqiptar  duke përdorur dy foto të Biden (një më të vjetër dhe një më të re) dhe dy versione paksa të ndryshme të nënshkrimit të tij. Verifikimet konfirmojnë se fotot e Biden dhe ato të firmes së tij nuk tregojnë persona të ndryshëm, por ndryshime tërësisht normale. 

Këto pretendime nuk janë të reja. Fotot në fjalë qarkullojnë në rrjet që nga janari 2021, menjëherë pas inaugurimit të Biden si president. Në këtë periudhë dhe në vitet në vazhdim, janë përhapur shpesh teori konspirative se Biden ishte zëvendësuar nga një “klon” apo dhe nga një robot, pretendime të cilat janë hedhur poshtë edhe më parë nga Faktoje dhe verifikues të tjerë të fakteve. 

Analiza e organizatës së verifikimit të fakteve Misbar tregon se ndryshimet në nënshkrime nuk janë diçka jashtë normales. Nënshkrimet e Joe Biden në dokumente të ndryshme, përfshirë urdhërat ekzekutivë, mund të duken paksa të ndryshme për shkak të mjetit të shkrimit, rrethanave të nënshkrimit apo edhe stilit të tij personal në kohë të ndryshme. Megjithatë ato mbeten të ngjashme dhe duken të jenë pjesë e të njëjtës dorë dhe të njëjtit person. 

Gjithashtu, artikulli pretendon se Biden është zëvëndësuar pasi ka ndryshime midis fotografive që janë zgjedhur. Por dhe ndryshimet në pamjen e Biden nuk kanë asgje të pazakonshme. Ndryshimet që duken janë ato që vijnë me moshën, si dhe stilin e flokëve apo të veshjes. 

Si përfundim, nuk ekziston asnjë provë e besueshme se Joe Biden është zëvendësuar apo klonuar pavarësisht ndryshimeve në imazhin e fotove dhe firmave në dekada të ndryshme.