Myslimanët nuk përbëjnë 85% të refugjatëve në botë

10

Pretendimi: Përafërsisht 85% e refugjatëve në botë janë myslimanë, por ata nuk kërkojnë azil në 56 vendet që janë myslimane

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se rreth 85% e refugjatëve të botës janë myslimanë, por ata nuk kërkojnë azil në 56 vende myslimane.

Postimi i mësipërm nuk i referohet ndonjë burimi apo statistike ku është marrë kjo shifër.

Deri në fund të qershorit 2025, në botë kishte 42.5 milionë refugjatë dhe 8.4 milionë azilkërkues, sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Për pretendimin se 85% e refugjatëve janë myslimanë, duhen të dhëna mbi përbërjen fetare të refugjatëve në botë.

UNHCR, agjencia e OKB për refugjatët dhe burim kryesor për statistikat e refugjatëve, krijoi Refugee Data Finder, i cili mbledh statistika mbi refugjatët. Megjithatë, ata nuk mbledhin të dhëna mbi përkatësitë fetare të refugjatëve.

UNHCR i merr të dhënat nga operacionet e saj dhe nga qeveritë, të cilat shpesh nuk mbledhin të dhëna mbi fenë e refugjatëve për të mbrojtur privatësinë. Përveç kësaj, meqenëse mbledhja e këtij lloji të dhënash është potencialisht e dëmshme, sistemi i regjistrimit i UNHCR i mbledh ato vetëm nëse janë të rëndësishme për të përcaktuar statusin e refugjatit të një personi.

Qendra Kërkimore Pew, që mbledh karakteristikat demografike dhe sociale të migrantëve, ka kryer një studim me të dhëna mbi përbërjen fetare të migrantëve në botë. Këtu shohim se 47% e të gjithë migrantëve janë të krishterë dhe 29% janë myslimanë, një shifër dukshëm më e ulët se 85%. 

Megjithatë, refugjatët janë një grup i ndryshëm nga migrantët. Ndërsa migrimi shpesh kuptohet si lëvizje vullnetare, refugjatët nuk mund të kthehen në shtëpi dhe duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar. Nuk mundëm të gjenim studime të ngjashme për refugjatët.

Duke përdorur shumicën fetare të vendeve të origjinës së refugjatëve, mund të vlerësojmë vetëm nëse pretendimi është i mundshëm. Megjithatë, Janis Kreuder nga UNHCR paralajmëron se duhet të “konsiderojmë se jo të gjithë qytetarët e një vendi kanë të njëjtat gjasa të jenë bërë refugjatë. Shihni, për shembull, refugjatët Rohingya nga Myanmari, të cilët janë shumicë myslimanë, ndërsa Myanmari është një vend me shumicë budiste.”

Nga afërsisht 42.7 milionë refugjatë, 59% vijnë nga vetëm pesë vende. Pothuajse 7 nga 10 e të gjithë refugjatëve dhe personave që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare kanë origjinën nga Siria, Afganistani, Sudani i Jugut, Venezuela dhe Ukraina.

Raporti i UNHCR për Trendet Globale 2024 tregon se venezuelasit dhe ukrainasit, të dy vende me shumicë të krishterë, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së përgjithshme të refugjatëve. Vetëm refugjatët nga këto dy vende përbëjnë 26% të të gjithë refugjatëve të monitoruar nga UNHCR në fund të vitit 2024. Nëse shtojmë refugjatët nga Sudani i Jugut, gjithashtu një vend me shumicë katolike, përqindja rritet në 31%, gjë që e bën menjëherë të pavlefshme teorinë se 85% e refugjatëve në botë janë myslimanë.

Edgar Scrase i UNHCR shkruan se “duke pasur parasysh se vetëm ukrainasit dhe venezuelasit përbëjnë gati një të tretën e të gjithë refugjatëve, duke përfshirë edhe njerëz të tjerë që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, përqindja e vërtetë e refugjatëve që janë myslimanë ka të ngjarë të jetë shumë më e ulët.”

Nga ana tjetër, midis vendeve nga të cilat vijnë shumica e refugjatëve, disa janë me shumicë myslimane, duke përfshirë Sirinë dhe Afganistanin.

Është e rëndësishme të theksohet se, sipas UNHCR, nuk ekzistojnë të dhëna gjithëpërfshirëse të nevojshme për të pohuar se 85% e të gjithë refugjatëve janë myslimanë.

Deri në qershor 2025 kishte 8.42 milionë azilkërkues. Një azilkërkues është një person që “kërkon mbrojtje ndërkombëtare nga rreziqet në vendin e tij ose të saj të origjinës, por kërkesa e të cilit për statusin e refugjatit nuk është përcaktuar ligjërisht.”

Postimi i mësipërm pretendon se refugjatët myslimanë nuk aplikojnë për azil në “56 shtete myslimane.” Meqenëse nuk ka shifra gjithëpërfshirëse për të gjithë refugjatët myslimanë, nuk mund të përcaktojmë saktësisht se ku ata kërkojnë azil. Përsëri, mund të bëjmë vetëm vlerësime bazuar në të dhënat e disponueshme.

Pretendimi ndoshta i referohet 57 anëtarëveOrganizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC). Organizata ka patur 56 anëtarë deri në rivendosjen e anëtarësimit të Sirisë në mars 2025. Ky grup përfshin si shtetet që e kanë shpallur Islamin fe zyrtare shtetërore si edhe vendet me shumicë myslimane.

Të dhënat e vitit 2024 nga UNHCR tregojnë se në 2024, Irani dhe Turqia, dy vende me shumicë myslimane, pritën 6.4 milionë refugjatë (respektivisht 3.5 milionë dhe 2.9 milionë), kryesisht nga Afganistani dhe Siria. Ndër vendet me më shumë refugjatë ishin dhe Kolumbia dhe Gjermania (me 2.8 dhe 2.7 milionë, respektivisht), dy vende me shumicë të krishtere. Më pas vinin Uganda, Pakistani dhe Çadi. Dy të fundit janë vende me shumicë myslimane.

Edgar Scrase pohon se të paktën shtatë nga vendet më të mëdha pritëse janë kryesisht myslimane (Bangladeshi, Irani, Libani, Jordania, Turqia, Çadi dhe Pakistani) dhe së bashku ato strehojnë afër 30% të të gjithë refugjatëve. Të gjitha këto vende janë pjesë e OIC.

Dhjetë vendet kryesore që strehuan refugjatë në vitin 2024

Është e rëndësishme të theksohet se nga të gjithë njerëzit që ikin nga konflikti dhe persekutimi, shumica e tyre qëndrojnëvendet e tyre të origjinës. Kur shkojnë jashtë vendit, ata shkojnë kryesisht në vendet fqinje. Ashtu si në vitin e kaluar, deri në qershor 2025, 2 nga 3 refugjatë u strehuan në vendet fqinje.

Në shumë raste, vendet fqinje kanë përkatësi të ngjashme fetare. Për shembull, refugjatët nga Siria, një vend me shumicë myslimane, kanë shkuar kryesisht në Turqi, një vend tjetër me shumicë myslimane. E njëjta gjë vlen edhe për refugjatët afganë, që ikin kryesisht në Pakistan dhe Iran.

Kështu, refugjatët myslimanë aplikojnë për azil në vendet me shumicë myslimane, duke përfshirë ato që janë pjesë e OIC.