E gjeneruar kjo video e sulmit në Tiranë ndaj Dafina Zeqirit

13

Pretendimi: Këngëtarja shqiptare u sulmua nga publiku gjatë performancës në Tiranë

Verdikti: Gjeneruar AI

Barbara Halla

Një video e cila po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka krijuar shqetësim tek shumë përdorues, pasi aty tregohen pamjet e një këngëtareje shqiptare që sulmohet fizikisht gjatë një performance në skenë në Tiranë. Megjithatë, kjo video nuk përkon me realitetin pasi bëhet fjalë për imazhe te gjeneruar përmes inteligjencës artificiale. 

Videoja duket se është ndërtuar duke marrë si bazë një performancë të këngëtares Dafina Zeqiri, por pamjet janë deformuar dhe montuar në mënyrë të tillë që të krijojnë idenë e një incidenti që nuk ka ndodhur kurrë. Lëvizjet e këngëtares nuk përkojnë me reagime reale ndaj një situate të dhunshme, gjë që tregon që bëhet fjalë për një video fallco.

Nëse analizojmë këtë klip me kujdes, shfaqen disa detaje që na tregojnë se nuk bëhet fjalë për një video autentike. Së pari, një burrë i veshur tërësisht me të zeza “shfaqet” papritur në skenë sikur ka dalur nga hiçi, pa asnjë lidhje logjike me lëvizjen e kamerës apo me publikun përreth. Kjo mungesë e lëvizjeve dhe tranzicioneve natyrale janë shenja tipike të faktit që këto imazhe janë krijuar me inteligjencë artificiale dhe nuk janë të vërteta. 

Së dyti, sfondi mbrapa “këngëtares” është i paqartë dhe i deformuar, sidomos rreth vijave të dritave skenike, një tjetër detaj që tregon se kjo video nuk është reale. Për më tepër, pasi “këngëtarja” rrëzohet, asnjë person në sfond nuk lëviz për ta ndihmuar po vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtin pozicion, gjë që nuk do të ndodhte në realitet. 

Së fundmi, nuk ka pasur asnjë raportim mediatik apo njoftim zyrtar që një këngëtare shqiptare, duke përfshirë Dafina Zeqirin, që të jetë sulmuar gjatë një koncerti.