Pretendimi: Një kufomë e rreme e Hitlerit është zbuluar
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i jashtëzakonshëm se “një kufomë e rreme e Hitlerit është zbuluar.”

Ky postim, si zakonisht, nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë që mbështet pretendimin e jashtëzakonshëm.
Imazhi që shoqëron postimin është i vërtetë. Ai është xhiruar në 4 maj 1945.
Sipas historianit rus Lev A. Bezymensky, trupi në imazh, i cili dukej si i Hitlerit dhe kishte një vrimë plumbi në ballë, u gjet nga trupat sovjetike më 4 maj 1945, pranë bunkerit të Hitlerit. Duke besuar se mund ta kishin gjetur trupin e udhëheqësit nazist, oficerët sovjetikë urdhëruan që trupi të filmohej. Megjithatë, më vonë po atë ditë, tha Bezymensky, trupat sovjetike gjetën trupat e djegur të Hitlerit dhe gruas së tij, Eva Braun. Bezymenski citon Ivan Klimenkon, komandantin e njësisë SMERSH të Ushtrisë së Kuqe në 1945.
Në vitin 1992, gazetarja Ada Petrova gjeti pamjet filmike në arkivat shtetërore ruse. Sipas saj, sozia ishte identifikuar si Gustav Weler. Në librin e saj të vitit 1995, Petrova shpreh mendimin se ‘Weler’ mund të ketë kryer një punë të rëndomtë në Kancelarinë e Rajhut dhe herë pas here ka zëvendësuar Hitlerin si sozi.
I rrethuar në bunkerin e tij, 9 metra nën tokë, më 30 prill 1945, Adolf Hitleri vrau veten. I vetëdijshëm se italianët e kishin përdhosur kufomën e Benito Musolinit, Hitleri kishte lënë udhëzime se si duheshin asgjësuar trupat e tij dhe të Braun. Ata u dogjën dhe u varrosën në një krater bombe në kopshtin e Kancelarisë.
Më 5 maj 1945 forcat sovjetike zbuluan një fragment nofull dhe dy ura dentare në kopshtin e Kancelarisë së Rajhut dhe i identifikuan ato si të Hitlerit.
Por, megjithëse sovjetikët e dinin me siguri se Hitleri kishte vdekur, Stalini urdhëroi që lajmi të heshtej në mënyrë që të mbillte pasiguri dhe t’i lejonte atij të përhapte thashetheme se Aleatët Perëndimorë e kishin ndihmuar fshehurazi Hitlerin të arratisej. Rusët e quajtën fushatën e dezinformimit “Operacioni Mit”.
CIA ka një raport autopsie që konfirmon vdekjen e Hitlerit, të disponueshëm në faqen e saj të internetit. Historianët dhe zyrtarët e inteligjencës kanë paraqitur prova dërrmuese që konfirmojnë vdekjen, të detajuara në librin e vitit 1947 “Ditët e Fundit të Hitlerit”. Në vitin 1980, një burrë i quajtur Heinz Linge botoi kujtimet e tij të kohës kur shërbeu si shërbyes i Hitlerit. Ai përshkroi qëndrimin jashtë dhomës kur Hitleri kreu vetëvrasje dhe pa trupin e pajetë të udhëheqësit nazist.
Në 2017, një studim i mbetjeve trupore të ruajtura me xhelozi nga inteligjenca ruse për shtatë dekada konfirmoi se Adolf Hitleri në fakt vrau veten në bunkerin e tij në Berlin më 30 prill 1945. Ishte hera e parë që studiuesve jashtë Rusisë iu lejua qasje në dhëmbët, të cilët mbahen nga shërbimi i inteligjencës së Rusisë, FSB. “Dhëmbët janë autentikë – nuk ka asnjë dyshim të mundshëm”, tha patologu kryesor Philippe Charlier për agjencinë e lajmeve AFP. “Studimi ynë vërteton se Hitleri vdiq në vitin 1945.”

Mbetjet dentare të Hitlerit: një urë maksilare e bërë kryesisht prej ari (sipër djathtas) dhe një pjesë e një nofulle të thyer dhe të djegur rreth procesit alveolar (tre fragmentet poshtë).
Pra, ‘kufoma e rreme e Hitlerit’ nuk është zbuluar së fundmi, por mbi 80 vite më parë, 4 ditë pasi ai kishte vdekur dhe trupi i tij ishte djegur, dhe një ditë përpara se mbetjet e tij reale të gjendeshin.






