NASA nuk po fsheh informacione për kometën aliene

12

Pretendimi: NASA po fsheh imazhe të një objekti misterioz ndëryjor

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Një artikull i publikuar përgjatë nëntorit 2025 dhe i shpërndarërrjetet sociale shqiptare pretendon se NASA po fsheh imazhe të një objekti enigmatik dhe të rrezikshëm që po vjen nga jashtë sistemit tonë diellor. Megjithatë, këtu bëhet fjalë për një shtrembërim të fakteve. Si NASA dhe agjenci të tjera kanë dhënë mjaft informacione mbi dy objekte të ndryshme që mund t’i afrohen Tokës në javët e ardhshme. 

Më datë 2 nëntor, astronomi amator Gennadiy Borisov, kapi pamjet e para të afrimit të kometës C/2025 V1 (Borisov).  Kjo kometë, e cila vjen nga brenda sistemit tonë diellor, u katalogua menjëherë në databazën e NASA-s, që njihet si “JPL Small-Body Database.” 

Megjithëse NASA ka publikuar informacione të shumta mbi këtë kometë, përsëri pati spekulime të shumta mbi objektin, duke përfshirë teori konspiracioni, për dyshimet e një  preardhjeje aliene të objektit.Këto lajme kanë arritur edhe në portalet shqiptare, ku pretendohet se NASA po fsheh informacione. 

Një nga arsyet për lindjen e këtyre teorive është fakti se kometa C/2025 V1 ka ngjashmëri me një objekt tjetër ndëryjor që njihet me emrin 3I/ATLAS. Komuniteti shkencor ka më pak informacion mbi këtë objekt që mendohet të jetë një kometë që vjen nga jashtë sistemit tonë diellor. Megjithatë, studime të mëtejshme tregojnë se kometa C/2025 V1 nuk ka lidhje me 3I/ATLAS. 

Gjithsesi, si për objektin 3I/ATLAS dhe për komentën C/2025 V1, nuk ka asnjë provë që NASA po “mban të fshehura” imazhe. Me datë 19 nëntor në fakt, NASA publikoi imazhe të reja të 3I/ATLAS. Imazhe të tjera të kësaj komete mund të gjenden që prej datës 1 korrik e më tej në faqen e NASA-s. 

Në përgjithësi, agjencia hapësinore amerikane ka një traditë të gjatë të ndarjes së zbulimeve me publikun sapo të dhënat të jenë verifikuar dhe analizuar siç duhet. Në fakt, çdo vëzhgim i rëndësishëm i objekteve ndëryjore publikohet shpejt në platforma si arxiv.org dhe në konferenca shkencore ndërkombëtare.