Shfaqja e krimeve nga emigrantët nuk provon rritjen e kriminalitetit

14

Pretendimi: Mbi 400,000 gjermanë viktima të krimeve të kryera nga emigrantët

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Një postim i fundit në Facebook ka shpërndarë lajmin se 400 mijë qytetarë gjermanë janë bërë viktima të krimeve të kryera nga emigrantët midis viteve 2015 dhe 2024. Postimi, i cili përdor si referencë një artikull të gazetës gjermane Focus, përpiqet të krijojë perceptimin se migrantët përbëjnë një kërcënim të madh për sigurinë publike. Megjithatë, një analizë e kujdesshme e të dhënave zbulon se këto pretendime nuk tregojnë pamjen e plotë të situatës së krimit në Gjermani dhe keqinterpreton statistikat zyrtare.

Studimi i publikuar në Focus, tregon se në periudhën 10-vjeçare (2015-2024), rreth 426,00 qytetar gjermanë dhe 512,000 jo-gjermanë kanë rënë pre e krimeve të kryera nga emigrantë. Edhe përse këtu bëhet fjalë për një total prej rreth 938,000 viktimash, ky është totali i statistikave përgjatë një dedake. Pra, mesatarisht, bëhet fjalë për 10,000 viktima në vit. 

Këto statistika fokusohen tek 10 shtete/rajone, pra nuk përbëjnë numrin total të krimeve në Gjermani përgjatë kësaj periudhe. Në fakt, ka disa probleme të tjera me statistikat dhe mënyrën si ato prezentohen. Këto shifra nuk tregojnë sesa shpesh ndodhin krimet në raport me popullsinë, pra nuk japin një normë kriminaliteti, e cila është treguesi i vetëm i vlefshëm për të krahasuar grupe të ndryshme. Nëse numri i personave nga Siria, Afganistani apo Iraku në Gjermani është rritur ndjeshëm që prej 2015-s, atëherë edhe numrat absolutë të të dyshuarve nga këto vende do të rriten në mënyrë natyrale, pa treguar domosdoshmërisht një rritje të prirjes kriminale. 

Për më tepër, si artikulli i Focus.de, si dhe postimi në faqen në Facebook, nuk bëjnë krahasimin me shifrat e krimit të kryra nga qytetarët gjerman. Kjo e bën të vështirë të bëhen krahasime më të gjera dhe për me tepër nuk tregojnë trende mbi krimin në Gjermani. Siç e shpjegon Der Spiegel, “kriminologët vënë shpejt në dukje se migrantët priren të akuzohen më shpesh se gjermanët… Ata janë gjithashtu më shpesh viktima të krimeve, në raport me përqindjen e tyre në popullsinë gjermane.” 

Së dyti, të dhënat nuk bëjnë dallime midis llojeve të krimeve. Në kategorinë e krimit futen të gjitha: nga vjedhja e vogël apo konflikti në trafik, deri te veprat e rënda me dhunë. Kur një statistikë e paqartë shpërndahet online pa këtë sqarim, ajo krijon përshtypjen e gabuar se bëhet fjalë kryesisht për krime të rënda, duke forcuar frikën dhe paragjykimet.

Ekspertët gjermanë të kriminalistikës theksojnë prej vitesh se faktorët kryesorë që nxisin kriminalitetin janë varfëria, mungesa e perspektivës, traumat e luftës dhe margjinalizimi, jo kombësia. E njëjta gjë vlen edhe për gjermanët: grupet e varfra e të përjashtuara socialisht kanë norma më të larta kriminaliteti. Këto kushte prekin shpesh refugjatët, të cilët përballen me stres të lartë, pasiguri, dhe vështirësi integrimi.

Kjo nuk është hera e parë që narrativa të tilla janë shpërndarë mbi emigrantët në Gjermani. Në 2024, organizata EUfactcheck, hodhi poshtë një pretendim të postuar nga një politikan danez, sipas të cilit 60% e krimeve të kryera në Gjermani janë nga emigrantët. 

Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare të migracionit paralajmërojnë se narrativa që paraqet migrantët si kriminelë është e rrezikshme dhe e paarsyeshme. Për shembull, i njejti studim duket të jetë përdorur nga partia e ekstremit të djathtë AfD, e cila ka një politikë anti-emigrante që është kritikuar gjerësisht. Por, siç e shpjegon EUFactCheck, të dhënat nga vende të tjera europiane, si Spanja, Kroacia dhe Holanda, tregojnë se nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis rritjes së migracionit dhe rritjes së kriminalitetit.