Tornado e fundit në Paris jo rezultat i sistemit HAARP

15

Pretendimi: Tornado që goditi rrethinat e Parisit në tetor 2025 ishte reagimi i Tokës i amplifikuar nga teknologjitë HAARP dhe nga spërkatjet kimike

Verdikti: E paprovuar

————————————————-

Video e një tornado që goditi Parisin në tetor 2025 po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se ky fenomen, ndër të tjerë, ishte pasojë e “reagimit të Nënës Tokë” që amplifikohet nga teknologjitë HAARP dhe nga spërkatjet kimike (chemtrails).

Si zakonisht, pretendimi i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë referencë, burim apo provë mbështetëse.

Një tornado përshkoi Val-d’Oise, në veri të Parisit, më 20 tetor 2025, duke rrëzuar vinça ndërtimi, duke dëmtuar prona dhe duke shkulur pemë. Prokurori rajonal Guirec Le Bras tha se një punëtor ndërtimi 23-vjeçar u vra në një kantier ndërtimi dhe 10 persona u plagosën, katër prej të cilëve në gjendje kritike.

Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez tha se kishte qenë një stuhi me “intensitet të papritur dhe të rrallë”. Ai shtoi: “Po e ndjek situatën nga afër dhe shpreh mbështetjen time për zyrtarët, ekipet e shpëtimit në vendngjarje dhe banorët e prekur. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të dashurve të viktimës së ndjerë.”

Sipas Météo-France, agjencisë zyrtare meteorologjike të vendit, çdo vit në Francë ndodhin dhjetëra tornado. Ato zakonisht janë me intensitet të ulët dhe jetëshkurtra, dhe zakonisht shfaqen në veriperëndim të vendit ose në bregdetin e tij mesdhetar, larg zonave të dendura urbane si Parisi.

Ky është tornado i parë vdekjeprurës në Francë që nga 3 gushti 2008, kur një tornado në Hautmont mori tre jetë njerëzish.

Prania e këtij fenomeni është “e jashtëzakonshme”, sipas kanalit të motit La Chaîne Météo. Që nga fillimi i tetorit, Franca kishte përjetuar “një periudhë të qetë dhe anticiklonike”, por kjo situatë ndryshoi fundjavën përpara tornados “për shkak të një sistemi të madh me presion të ulët që po vendoset midis Atlantikut dhe Evropës Perëndimore”.

Ky sistem ndikoi drejtpërdrejt në vend me rrymën e reve që kalonte sipër tij, “duke shkaktuar fenomene të dhunshme në nivel lokal”, shtoi kanali i motit. Tornado mbi Paris ishte e lidhur me një sistem moti shumë aktiv që kaloi Anglinë juglindore të hënën në mëngjes dhe shkaktoi “stuhi të forta që prekën kryesisht Francën veriore” në pasdite.

Trajektorja e rrugës së stuhisë

Sipas vëzhguesit të stuhive Keraunos, stuhia që shkaktoi dëme të konsiderueshme në dhe përreth Ermont “u intensifikua vërtet ndërsa kaloi në veri të Dreux rreth orës 4:30 pasdite”, përpara se të arrinte në Yvelines me “aktivitet shumë të fortë” dhe më pas “në departamentin Val-d’Oise ku u zhvillua në një tornado domethënëse” rreth orës 5:45 pasdite. 

Nuk ka asnjë provë se kjo tornado u shkaktua apo ndikua nga teknologjitë HAARP dhe nga spërkatjet kimike.

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick ëest, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Spërkatja e kimikateve nga avionët (chemtrails) është një teori konspirative që pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.

Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.

Siç shpjegon skuadra kërkimore e fizikantit David Keith në Universitetin e Harvardit, nuk ka prova për ekzistencën e vazhdave kimike (chemtrails). Nëse do të ekzistonte vërtet një program qeveritar i kësaj shkalle, ai do të përfshinte një program po aq masiv për prodhimin, ngarkimin dhe shpërndarjen e materialeve. Mijëra ose edhe dhjetëra mijëra njerëz do duhej të punonin për këto programe. Kjo do të thotë se do të ishte tmerrësisht shumë e vështirë që kjo të mbetej sekrete për shumë gjatë, pasi do të mjaftonte vetëm një njeri i përfshirë në program të dilte hapur i pajisur me prova si fotografi, dokumente, apo pajisje fizike për ta dekonspiruar.

Këto prova ende nuk kanë dalë.

Në fjalët e skuadrës së Keith:

“Nëse beson në kemtrajle, pyete veten si mund të jesh kaq i sigurt që ka vërtet një konspiraci të madhe. Merr në konsideratë shpjegime alternative, të thjeshta. Ki parasysh që interneti është plot me njerëz që janë krejt të sigurt për gjëra që thjesht nuk janë të vërteta. Ki parasysh që edhe pse qeveritë mund të mbajnë sekrete që përfshijnë vetëm pak njerëz, ato nuk arrijnë të mbajnë sekret programe të mëdha. Rusët, për shembull, dinin detaje specifike mbi projektin e bombës atomike që përpara se të ndodhte testimi i parë i armëve bërthamore, dhe në atë rast njerëzit e përfshirë në atë projekt kishin motivin e qartë patriotik të mbanin sekretin.

Nëse mendon se vazhdat e kondensimit të avionëve “duken ndryshe” ose “po sillen çuditshëm” konsidero që vazhdat e zakonshme të kondensimit nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë dhe mënyra se si duken mund të ndryshojë papritur përgjatë të njejtës rrugë sepse avionët fluturojnë përmes vendeve me temperatura dhe lagështi të ndryshme. […] Sigurisht që ka mundësi që diçka tjetër po ndodh, por për ta provuar duhet më shumë se thjesht fotografi të diçkaje që duket njësoj me vazhdat normale të kondesimit”.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime lidhur me sistemin HAARP dhe teorisë konspirative të spërkatjeve kimike.