E gjeneruar stuhia e breshërit me kokrra sa një top basketbolli

22

Pretendimi: Këto pamje tregojnë një stuhi breshëri gjigand në Amerikën e Veriut

Verdikti: E pavërtetë, krijuar me AI

Barbara Halla

Një video po qarkullon në Facebook duke pretenduar një stuhi me breshër ka goditur Amerikën e Veriut, duke shkatërruar makina dhe goditur kalimtarët. Në video mund të dëgjohet zëri i dikujt që bërtet në anglisht “Futu brenda, se shtëpia po shembet.” Tonet dramatike të pamjeve shtohen kur të rritur e fëmijë detyrohen të vrapojnë mes panikut që shkakton rënia e kokrrave të breshërit në madhësine e një topi basketbolli. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë për një video të vërtetë, por një klip video të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. 

Nuk ka asnjë raport të besueshëm nga agjencitë e lajmeve që konfirmon një ngjarje të tillë. Për më tepër, videoja vetë, apo faqet shqiptare që e kanë shpërndarë nuk japin detaje të metejshme për burimin e imazhe. Nëse një faqe thotë se ngjarja ka ndodhur në Amerikën e Veriut, nuk përmendet një qytet apo datë specifike. Stacionet kryesore të motit, mediat e njohura dhe autoritetet lokale në SHBA apo Kanada nuk kanë raportuar një stuhi breshëri të kësaj madhësie në Amerikën e Veriut. 

Duke bërë një verifikim të videos përmes Google Lens, nuk zbulohet një burim origjinal i besueshëm për këtë video. Përkundrazi, kjo video është shpërndarë përmes mediave sociale të ndryshme nga llogari të vogla meme-sh dhe kuriozitetesh që kanë për synim mbledhjen e klikimeve dhe jo informimin. 

Për më tepër, ky nuk është rasti i parë që imazhe të tilla kanë qarkulluar në rrjet. Video të ngjashme të gjeneruara me AI kanë qarkulluar kohët e fundit po në rrjet në gjuhë të ndryshme, duke pretenduar se tregojnë stuhi breshëri në Kanada dhe Izrael. Të gjitha këto video ndjekin të njëjtin model: pamjet janë dramatike dhe përfshijnë makina apo kalimtarë që vriten nga copa breshërish që nuk mund të kenë shkaqe natyrale, dhe nuk janë të konfirmuar nga burime të besueshme.