E rrezikshme këshilla për trajtimin e rrudhave me sodë buke

16

Pretendimi: Përdorimi i sodës së bukës për një muaj bën mrekulli kundër rrudhave

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Një artikull i botuar në shtator 2025 në portalin Albmagazine këshillon vendosjen e një përzierjeje me sodë buke në fytyrë gjatë një muaji, me qëllim eleminimin e rrudhave.

Megjithatë, nuk ka prova se soda e bukës, apo ndonjë përzierje e saj, kanë ndonjë efekt tek rrudhat e fytyrës.

Përkundrazi, ekspertët këshillojnë kundër përdorimit të sodës së bukës, ose bikarbonatit të natriumit (NaHCO3), në lëkurë. 

Dermatologia Andrea Suarez shpjegon se soda e bukës është gërryese, mund të çrregullojë pH, ose aciditetin, e lëkurës. Kjo gjë mund të çojë në tharje dhe irritim të lëkurës dhe mund të përkeqësojë probleme ekzistuese si akne dhe ekzema.

Suarez shpjegon më tej se rrudhat e fytyrës lidhen me faktorë të jetesës si ekspozimi ndaj diellit dhe faktorët gjenetikë.

Lëkura e njeriut ka një pH normal 4.5-5.5. Kjo e mban lëkurën të shëndetshme dhe krijon një barrierë mbrojtëse me yndyrna të shëndetshme që e mbron atë dhe nga bakteret. 

Ndërkaq, soda e bukës e ka pH 9. Duke vendosur sodë buke në lëkurë, ajo mund të zhvishet nga kjo barrierë duke e bërë lëkurën më vulnerabël ndaj infeksioneve dhe dëmtimeve. Kjo mund të çojë në thatësi, acarim dhe mund të përshpejtojë plakjen afatgjatë duke dëmtuar barrierën e lëkurës.

Tekstura granulare e sodës së bukës mund të jetë gjithashtu problem. Fërkimi i grimcave të saj në fytyrë mund të jetë gërryese dhe të shkaktojë të çara të vogla në lëkurë duke hapur kështu rrugën infeksioneve.