Komiteti Olimpik ende asnjë ndalim për atletët transgjinorë në garat femërore

10

Pretendimi: Atletët transgjinorë do të ndalohen të marrin pjesë në garat olimpike për femra

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se atletët transgjinorë do të ndalohen të marrin pjesë në garat olimpike për femra.

Eshtë e vërtetë se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar po shqyrton rregullat universale për atletët transgjinorë në Lojërat Olimpike.

qershor 2025, IOC, nën presidenten e re Kirsty Coventry, vendosi të marrë në dorë drejtimin e përcaktimit e kritereve të pranueshmërisë për pjesëmarrjen olimpike të atletëve transgjinorë. Më parë, IOC ua kishte lënë përgjegjësinë federatave individuale sportive, duke çuar në një mozaik konfuz qasjesh të ndryshme.

Në atë kohë, Coventry, gruaja dhe afrikania e parë që mban këtë pozicion, tha se dëshironte që IOC të “mbronte kategorinë e femrave.”

Në shtator, Coventry ngriti grupin e punës ‘Mbrojtja e Kategorisë Femërore’, të përbërë nga ekspertë, si dhe përfaqësues të federatave ndërkombëtare, për të shqyrtuar mënyrën më të mirë për të mbrojtur kategorinë femërore në sport.

Drejtoresha mjekësore dhe shkencore e komitetit, Dr. Jane Thornton, javën e kaluar u paraqiti anëtarëve të IOC gjetjet fillestare të një shqyrtimi shkencor mbi atletët transgjinorë dhe garuesit me dallime në zhvillimin seksual (DSD) që garojnë në sportin femëror.

Burime thanë për “The Times” se sipas prezantimit të Thornton, provat shkencore treguan se kishte avantazhe fizike të të qenit i lindur mashkull që mbetën tek atletët, përfshirë ata që kishin marrë trajtim për të ulur nivelet e testosteronit.

Megjithatë, një vendim për ndalimin e atletëve transgjinorë nuk është shpallur ende. 

“Grupi i punës po vazhdon diskutimet mbi këtë temë dhe ende nuk janë marrë vendime. Informacione të mëtejshme do të ofrohen në kohën e duhur”, tha një zëdhënës i IOC më 10 nëntor.

Sipas BBC Sport një ndalim i përgjithshëm nuk ka gjasa të hyjë në fuqi në kohë për Lojërat Olimpike Dimërore të shkurtit 2025 në Itali, por mund të hyjë në fuqi para Lojërave Olimpike të Los Angeles në vitin 2028.

Sipas rregullave aktuale, të cilat janë ende në fuqi, atletët transgjinorë kanë të drejtë të marrin pjesë në Lojërat Olimpike.