Pretendimi: Gjykata e Lartë rrëzon Kodin e ri Penal
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————–
Ndërsa propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për Kodin e ri Penal vijon të diskutohet në muajt pas botimit të tij në Korrik 2025, artikulli i Politiko më 5 nëntor duket se lajmëron përfundimin e debatit duke njoftuar se “Gjykata e Lartë rrëzon Kodin e ri Penal.”
Një titull i tillë krijon natyrshëm idenë e një vendimmarrje gjyqësore.

Lexuesi skeptik do të rikujtojë, me të hasur këtë titull, ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve (ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor), duke dyshuar nëse Gjykata e Lartë ka tagër të ‘rrëzojë’ një propozim ligji.
Në të vërtetë, artikulli i referohet qëndrimit të shprehur nga Gjykata e Lartë, nëpërmjet kreut të saj Sokol Sadushi, gjatë një takimi konsultimi të organizuar nga Ministria e Drejtësisë për draftin e Kodit të ri Penal.
Sadushi deklaroi se konsultimi institucional për hartimin e Kodit ka qenë i kufizuar dhe i pjesshëm.
Ai tha se pas publikimit të draftit, Gjykata e Lartë ka hartuar një analizë me vërrejtjet, komentet dhe propozimet konkrete, e cila i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe grupit të punës. Sipas tij, dokumenti prej 50 faqësh evidenton çështjet themelore që kërkojnë reflektim dhe rishikim të kujdesshëm.
Fjala e plotë e Sadushit është botuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.
Titulli i mësipërm tërheq interesin dhe vëmendjen e publikut duke përfituar klikime.






