Pretendimi: Antiparazitarët Ivermectin dhe Mebendazol janë përdorur për të kuruar kancerin terminal
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon sërish pretendimi se barna antiparazitarë si Ivermectin dhe Mebendazol janë përdorur në një terapi eksperimentale që çoi në kurimin e plotë të një pacienti me kancer terminal.

Megjithatë, postimi i mësipërm nuk jep ndonjë provë apo studim që mbështet këtë pretendim.
Ivermectina dhe mebendazoli janë medikamente që përdoren për të trajtuar infeksionet parazitare. Si ivermectina ashtu edhe mebendazoli përdoren te njerëzit. Mebendazoli i përket një klase ilaçesh të njohura si antihelmintikë benzimidazoli.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i tha Deutsche Presse-Agentur në gusht 2025 se “aktualisht nuk ka prova që mbështesin përdorimin e ivermectinës si ilaç për kancerin.”
Vërtet ekziston interes shkencor për përdorimin e ivermectinës si terapi mbështetëse për kancerin, por kërkimet janë ende në hapat e tyre fillestarë, të kufizuara në studimet paraklinike në kulturat qelizore (qelizat që rriten në laborator).
Susanne Arnold, nga Qendra e Kancerit Markey në Kentuckyi, tha për Associated Press se studime të tilla nuk janë të mjaftueshme për të provuar se ilaçi funksionon tek njerëzit, duke shtuar: “Unë nuk di asnjë raport të provave klinike që kanë dhënë rezultate të suksesshme te njerëzit me kancer.”
Peter Lee, kryetar i departamentit të imunonokologjisë në City of Hope, i cili kryen kërkime mbi efektin e ivermectin në kancerin e gjirit në kombinim me ilaçe të tjera, i tha AFP se “ivermectin është në gjendje të vrasë qelizat e kancerit”, por se kjo duhet të kombinohet me “aktivizimin imunitar” dhe “ne jemi në procesin e të zbuluarit”.
Ai gjithashtu theksoi se kombinimet e barnave funksionojnë vetëm me doza të caktuara të marra në kohë specifike: “Thjesht të thuash se dikush duhet të marrë pak ivermectin që mori nga një veteriner – kjo nuk do të shkonte aspak.”
Ivermectin ka efekte anësore si skuqje të lëkurës, të vjella dhe dëmtim të mundshëm të mëlçisë.
“Ne dimë gjithashtu se Ivermectin në doza shumë të larta, në fakt mund të jetë toksike,” tha Lee. “Pra, padyshim, nuk duhet të jetë: shko gjej ca dhe merre vetë.”
Instituti Kombëtar amerikan i Kancerit deklaroi se ivermectin është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e ShBA për trajtimin e disa infeksioneve parazitare, bazuar në gjetjet në provat klinike. Në të kundërt, “nuk ishte në dijeni të ndonjë prove klinike të ngjashme” që vërteton se ivermectin është efektive kundër çdo kanceri.
Mebendazoli është gjithashtu një ilaç kundër krimbave për njerëzit që po hetohet si një ilaç i ripërdorur në trajtimin e kancerit. Kjo përfshin testimin në kafshë dhe linja qelizore, si dhe provat fillestare në njerëz. Prandaj, aktualisht nuk ka prova shkencore që tregojnë se është efektiv.
Nuk këshillohet të merrni mebendazol për ndonjë indikacion ose në një dozë përveç asaj që ju ka thënë mjeku. Sipas Klinikës Mayo:
“Përdoreni këtë ilaç pikërisht siç ju ka thënë mjeku juaj. Mos e përdorni më shpesh ose për më gjatë nga sa ju ka thënë mjeku juaj. Kjo mund të rrisë rrezikun e efekteve anësore. […] Mebendazoli mund të ulë përkohësisht numrin e qelizave të bardha të gjakut në gjakun tuaj, duke rritur rrezikun e infeksionit. […] Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse mendoni se keni një infeksion, ethe, të dridhura, kollë, ngjirje të zërit, dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës ose anash, ose urinim të dhimbshëm ose të vështirë.”
Përdorimi i mebendazolit për aplikime të tjera përveç parazitëve të zorrëve është veçanërisht i pajustifikuar sepse, pas marrjes, ilaçi praktikisht nuk del kurrë nga trakti gastrointestinal. Kjo do të thotë që shumica dërrmuese e tij mbetet në lumenin e stomakut ose zorrëve dhe nuk përthithet më tej. Vetëm një përqindje e vogël e dozës së marrë (zakonisht rreth 5-10%) del nga trakti gastrointestinal. Ky është një rezultat shumë i dëshirueshëm për një ilaç që synon të shënjestrojë parazitët e zorrëve, por në inde të tjera, përqendrimet terapeutike do të ishin shumë të ulëta.






