Jona Cenameri
Në një intervistë të fundit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se “Serbia mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030”, duke e lidhur ngadalësimin e kursit europian me “çështjen e Kosovës” dhe duke folur sërish për një ‘luftë hibride’ kundër Serbisë, që sipas tij, po zhvillohet nga aktorë të jashtëm.
Çfarë tha Vuçiç?
Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), Vuçiç tha se ekziston mundësia që Serbia të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por se pengesa kryesore mbetet çështja e Kosovës: “Unë nuk mund dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës” Ai theksoi se Serbia po përballet me një ‘luftë hibride serioze’ që, sipas tij, synon destabilizimin e vendit, ndërsa ai vetë po përpiqet të ruajë paqen dhe unitetin kombëtar. Këto deklarata u publikuan nga RTS dhe më pas u përhapën gjerësisht në mediat rajonale përfshi serbe dhe ato shqiptare.
Serbia përballë BE-së
Por si është sot pozicioni i Serbisë ndaj kushteve për anëtarësim në Bashkimin Europian?
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Europian, Serbia ka hapur deri më tani 22 nga 35 kapitujt e negociatave për anëtarësim dhe vetëm dy prej tyre janë mbyllur provizorisht. Kjo tregon një progres të kufizuar dhe të ngadaltë në procesin e anëtarësimit, pavarësisht premtimeve optimiste të udhëheqjes politike në Beograd.
Në Raportin e Zgjerimit 2024, Komisioni vlerëson se Serbia ka bërë “përparim të kufizuar” në fusha thelbësore si sundimi i ligjit, liria e medias, lufta kundër korrupsionit dhe pavarësia e gjyqësorit. Për më tepër, përputhja e saj me Deklaratat dhe Masat e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të BE-së ka rënë në 47 %, kryesisht për shkak të refuzimit për t’u bashkuar me sanksionet ndaj Rusisë. Këto të dhëna përbëjnë tregues se Serbia nuk është në një trajektore që e çon drejt anëtarësimit përpara vitit 2030.
Siç shpjegon eksperti i politikës së jashtme Ledion Krisafi, pengesat më të mëdha që Serbia ka për momentin në rrugën drejt BE-së janë mungesa e zbatimit të ligjit, kapja e mediave, korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe orientimi i politikës së jashtme, që në shumë raste është në një linjë me Rusinë dhe Kinën. Gjithashtu sipas ekspertit, mungesa e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe fakti që shumica e serbëve janë kundër anëtarësimit e bëjnë këtë proces edhe më të vështirë. Krisafi shton se një ndryshim i thellë në qeverisje do të ishte i domosdoshëm për ta bërë Serbinë gati për anëtarësim deri në 2030, diçka që, në kushtet aktuale, duket shumë pak e mundshme.
“Lufta hibride”
Vuçiç e ka përdorur shpesh frazën “luftë hibride” për të përshkruar kritikat ndërkombëtare dhe protestat e brendshme, duke i atribuar “aktorëve të jashtëm” përpjekje për destabilizimin e Serbisë. Sipas ekspertit Krisafi kjo është një mënyrë për të mbajtur popullin serb pas vetes, duke i thënë se Serbia dhe serbët janë viktima të komploteve ndërkombëtare.
Pse “Kosova” si alibi?
BE nuk kërkon një njohje formale të Kosovës për hapjen e mëtejshme të kapitujve, por zbatimin e plotë të marrëveshjeve të dialogut dhe një normalizim funksional të marrëdhënieve, përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Paraqitja e Kosovës si pengesë e vetme sipas ekspertit të politikës së jashtme Krisafi, është një mënyrë për të zhvendosur përgjegjësinë nga mungesa e reformave të brendshme te një faktor i jashtëm politik.







