.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKineasti i Blue Planet nuk u vra pas zbulimit të liqenit misterioz nënujor

Kineasti i Blue Planet nuk u vra pas zbulimit të liqenit misterioz nënujor

Pretendimi: Një burrë i quajtur Mike Degruy zbuloi ujë nën ujë dhe për këtë e vranë

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Një video që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se një njeri i quajtur Mike Degruy “zbuloi ujë nën ujë dhe për këtë të vërtetë e vranë.”

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video tregon kineastin Mike deGruy duke folur për punën e tij duke filmuar nën ujë në Gjirin e Meksikës për serialin Blue Planet” të BBC në vitin 2001.

Ai flet për mrekullitë e një liqeni nënujor me ujë të kripur që ai dhe anëtarët e ekipit të tij panë dhe vështirësitë e tyre gjatë xhirimit të tij.

Megjithatë, vdekja e deGruy nuk është as konspirative dhe as e lidhur me xhirimet e tij të këtij liqeni me kripë. 

DeGruy vdiq më 4 shkurt 2012 në moshën 60 vjeçare, në një përplasje helikopteri në Australi, 11 vjet pasi u publikua “Blue Planet”. Bashkë me të ndodhej regjisori australian Andrew Wight, 52 vjeç, i cili po pilotonte helikopterin. Të dy ishin bashkëpunëtorë me regjisorin e “Titanic”, James Cameron, dhe treshja ndante një pasion për eksplorimin nënujor.

Më tej, Mike deGruy nuk “zbuloi ujë nën ujë.” Liqenet nënujore janë një fenomen i njohur dhe i studiuar nga një sërë shkencëtarësh. Në 1967 oqeanografi anglez Henry Charnock përshkroi atë që tani mund të identifikohet si një liqen nënujor në Detin e Kuq.

Liqenet nënujore formohen kur depozitat e kripës të varrosura nën shtratin e detit treten dhe rrjedhin lart, duke u mbledhur në pellgje natyrore. Meqenëse ky ujë i kripur është më i rëndë se uji normal i detit, ai qëndron në vend si vaji në një tigan, duke krijuar brigje nënujore dhe rryma të vetat.

Një liqen nënujor i zbuluar nga shkencëtarët në 2022 në Detin e Kuq

Kripësia e lartë dhe mungesa e oksigjenit mbështesin mikrobe që tolerojnë kushte shumë më të ashpra se ato në detet e zakonshme. Pellgjet me ujë të kripur gjenden zakonisht nën akullin polar të detit dhe në oqeanin e thellë.

Model i një liqeni nënujor në Gjirin e Meksikës

Këto anomali i rezistojnë përzierjes me oqeanin përreth, nuk përmbajnë oksigjen dhe krijojnë përzierje kimike që do të shkatërronin shumicën e jetës detare.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img