Pretendimi: Neptun po shpërndan sete luksoze dhuratash falas
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
———————————————————————–
Një postim nga një llogari e quajtur “Neptun Al” njofton se “Neptun po shpërndan sete luksoze dhuratash PLOTËSISHT FALAS!”

Postimi shpjegon se “me rastin e ardhjes së parë të markës Smeg në Shqipëri, Neptun dhuron për të gjithë një set fantastik me çajnik dhe tostierë Smeg” duke i ftuar përdoruesit të klikojnë një lidhje ku do t’u përgjigjen disa pyetjeve për të marrë dhuratat.
Megjithatë, me të klikuar ridrejtohemi në një faqe e cila identifikohet nga databaza e anti-virusit Avast si një dyqan i rremë online: një skemë e krijuar për të vjedhur të dhënat personale apo fjalëkalime.

Kjo faqe është bllokuar. Adplumbingheatingandelectrical mund të jetë një dyqan i rremë online. Hakerat krijojnë dyqane të rrme online për t’u përngjarë dyqaneve të vërteta, në mënyrë që të përpiqen t’u vjedhin të dhënat personale ose para.
Ndërkaq, vetë kompania Neptun Albania, në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka përgënjeshtruar një tjetër postim të faqes së rreme, duke rikujtuar përdoruesit se “ofertat dhe komunikimet zyrtare vijnë vetëm nga kanalet zyrtare.”

Lexuesit duhet të bëjnë kujdes nga oferta të tilla në rrjetet sociale, ku skema mashtrimi përdorin identitetin dhe emrat e kompanive të njohura për përfitime të ndryshme.
“Faktoje” ka identifikuar një numër skemash të tjera mashtrimi që qarkullojnë herë pas here në rrjete sociale.





